Finalja e “Këngës Magjike” në Tv Klan u përmbyll me fitoren e Juliana Pashës.
Këngëtarja u përfaqësua me këngën “Ajër” në këtë edicion të 25-të të festivalit magjik.
Në vend të dytë dhe të tretë u renditën përkatësisht Albina Kelmendi dhe Mira Konçi.
Auron Deva fitoi çmimin “Best New Artist”, ndërsa tre këngëtaret Silvana Rusi, Dafina Aliu dhe Luna Çausholli janë tashmë në kategorinë “Big”.
Liljana Kondakçi u nderua me çmim për kontributin në muzikë. Mjeshtri i skenografisë Gaetani Castelli mori një pllakatë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin e tij 17-vjeçar në festival.
Drejt fundit të mbrëmjes, kamera e puthjeve zbuloi edhe një propozim për martesë.
Pas kësaj, vijoi një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes: rikthimi i Ardit Gjebreas pas 7 vitesh në muzikë me një këngë të shkruar nga vajza, Anna. Babë e bijë interpretuan në piano, të shoqëruar nga kori i Liceut Artistik dhe Universitetit të Arteve duke dhuruar një performancë të paharrueshme.




