E rende ne Gaza

Sulmet ajrore izraelite në Gaza të shtunën vranë të paktën 24 persona dhe plagosën 54 të tjerë, përfshirë fëmijë, raportuan mediat ndërkombëtare, duke cituar zyrtarë shëndetësorë. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se nisën sulme kundër Hamasit në të gjithë Rripin e Gazës pasi një “terrorist i armatosur” kaloi në një zonë të mbajtur nga Izraeli dhe qëlloi trupat në Gazën jugore pa shkaktuar viktima. Sulmet e së shtunës janë të fundit në një valë dhune në rritje që nga fillimi i armëpushimit muajin e kaluar.

Dëshmitarët dhe mjekët thanë se sulmi i parë goditi një makinë në lagjen Rimal me popullsi të dendur. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse pesë të vdekurit ishin pasagjerë të makinës apo përfshinin kalimtarë, shkruan A2 CNN. Dhjetëra njerëz nxituan për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar viktimat. Menjëherë pas sulmit ndaj makinës, forcat ajrore izraelite kryen dy sulme ajrore të ndara në dy shtëpi në qytetin Deir Al-Balah dhe kampin Nuseirat, në Rripin qendror të Gazës, duke vrarë të paktën 10 persona dhe duke plagosur disa të tjerë, thanë mjekët.

Associated Press raportoi se sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 33 persona në Gaza gjatë një periudhe 12-orëshe të mërkurën dhe të enjten – kryesisht gra dhe fëmijë – duke cituar zyrtarë shëndetësorë. Izraeli tha se ushtarët e tij ishin qëlluar në Khan Younis të mërkurën. Hamasi mohoi të ketë qëlluar drejt trupave izraelite.

Reuters raportoi të enjten se forcat izraelite vranë dy adoleshentë palestinezë gjatë një bastisjeje gjatë natës në një qytet pranë Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë të SHBA-së për të autorizuar një forcë ndërkombëtare stabilizimi për Gazën dhe për të mbështetur planin e paqes të administratës Trump. Plani parashikon “një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze” vetëm pasi të përparojë rindërtimi i Gazës dhe Autoriteti Palestinez të reformohet vetë. (A2 Televizion)