Julian Çumraku dhe Hamza Uka, të cilët iu dorëzuan forcave RENEA dje pas 12 orësh negociata mbrëmjen e së hënës në fshatin Orosh, kanë zgjedhur të heshtin para grupit hetimor.
“Ju jeni shejtani, ne jemi me të drejtën”, ishin fjalët e vetme që ata kanë zgjedhur të thonë para grupit hetimor, sipas Abcnews.
Dy personat e dyshuar për aktivitetin e tyre terroris u arrestuan pas dorëzimit të tyre mbrëmjen e së hënës.
Mbi Julian Çumrakun dhe Arben Ukan rëndojnë veprat penale; nxitje e thirrje publike për kryerjen e veprave terroriste, kundërshtimi i policisë, prodhimi i armëve luftarake dhe armëmbajtje pa leje.
Erzen (Hamza) Uka, i lindur në Gjorm te Kurbinit, ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”. Ai ka qenë i skeduar nga policia si person me prirje radikale, ndërsa në rrjetet sociale postonte foto dhe video duke stërvitur persona që shkonin të luftonin në Siri dhe Irak, ku ka qenë edhe vetë komando i ushtrisë.
Për këtë arsye në vitin 2019, ai është arrestuar dhe në 2020 u dënua me tri vjet burg.
Ndërsa Julian Çumraku nga Puka, i njohur për prirjet e tij radikale, ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Për rreth 12 orë ata bënë rezistencë ndaj policisë, duke kërcënuar me armë dhe jetën e forcave të RENEA-s. Pas thirrjes për t’u dorëzuar, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale.
Gjatë kontrollit të banesës ku qendronin te fshehur, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës.




