Ish-presidenti Ilir Meta ka bërë kërkesë që të pyetet si person në dijeni për çështjen e ’21 Janarit’, ku humbën jetën katër protestues.
Kreu i PL-së, nga burgu, ka thirrur sot avokatin e tij, Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar që t’i bëjë kërkesë prokurorit A.Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”.
Javën e kaluar kreu i PD-së, Sali Berisha (në atë kohë kryeministër) u thirr në SPAK në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa më herët është paraqitur dhe Lulzim Basha.
Kujtojmë se Ilir Meta u largua para protestës së 21 janarit nga detyra si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm pas publikimit të videos me ish-deputetin e ndjerë Dritan Prifti.
“Meta më ka komunikuar që do të dëshmojë për rrethana dhe fakt rreth protestës së 21 Janarit. Ai tha se dëshmia e tij do ta zbardhë plotësisht këtë ngjarje. Ai është në dispozicion. Ka disa prova që do ia paraqesë SPAK-ut. Nuk e kanë marrë në pyetje sepse nuk kanë dashur ta zbardhin. Ai ka rënë në dijeni të disa të dhënave që do e zbardhin plotësisht këtë ngjarje. Ka dhe prova. Është person kyç në këtë ngjarje. Ka dijeni për 4 të vrarët në Bulevard. Nuk ka folur sepse këta e fusin në burg për deklarim të rremë siç e bënë me Salianjin. Nuk mund të bëjë gabimet e të tjerëve Meta. Kur të flasë Meta do zbulohet vrasësi i vërtetë i 21 Janarit”– tha Cakranji.




