E bujshme/ Arr*stohet ish-ministri i Bujqësisë dhe ish-drejtori i madh

Mëngjesin e sotëm policia ka zhvilluar një aksion të gjerë në Kumanovë, që lidhet me dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Burime policore bëjnë të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar ish-ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, si dhe ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike “Agro-Berza”, Nimetulla Ramadani.

Sipas informacioneve paraprake, të dy ish-zyrtarët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në vendimmarrje që kanë shkaktuar dëm financiar dhe juridik për institucionet shtetërore, duke favorizuar kontrata dhe marrëveshje të caktuara në kundërshtim me procedurat ligjore.

Në pranga ka përfunduar edhe një zyrtar tjetër i Ministrisë së Bujqësisë, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Të arrestuarit aktualisht po shoqërohen drejt stacionit policor të Gazi Babës në Shkup, ku pritet t’u merren deklarimet fillestare.

Operacioni pritet të vijojë edhe gjatë ditës, ndërsa policia ka paralajmëruar se nuk përjashtohen arrestime të tjera, duke qenë se hetimet për këtë rast janë në fazë të avancuar. Nga Prokuroria ende nuk është dhënë një reagim zyrtar.

Në orët në vijim priten informacione të reja mbi akuzat konkrete, masat e sigurisë që do kërkohen dhe nëse do ketë zgjerim të hetimeve tek persona të tjerë të përfshirë në çështjet e Bujqësisë dhe NP “Agro-Berza”.