E fundit! SPAK merr vendimin final, ja kë kërkon për SHEF të BKH

Mes 7 kandidatëve, komisioni i SPAK dërgon në KLP emrin e nënkyetarit të BKH…

Joni Keta është propozuar nga SPAK për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas gati 3 muajsh zvarritje, sot Komisioni i posaçëm i drejtuar nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra përfundoi fazën e vlerësimit dhe propozoi që pasardhësi i Aida Hajnajt të jetë Joni Keta, i cili aktualisht është nënkryetar i BKH.

Lista e kandidatëve përfshinte katër efektivë policie, dy hetues të BKH-së dhe një prokuror. Më saktë, në garë ishin: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Emri tani do t’i shkojë KLP-së dhe Këshilli pritet të marrë vendimin në mbledhjen e 2 dhjetorit 2025.

Sipas ligjit, veprimtaria e Byrosë Kombëtare të Hetimit bazohet në një shërbim të specializuar të policisë gjyqësore që realizon parandalimin, zbulimin, hetimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, nëpërmjet hetimit proaktiv, aplikimit të teknikave speciale të hetimit, aplikimit të sistemeve, databazave, analizës dhe inteligjencës, mjeteve të teknologjisë së informacionit, si dhe forcimit të masave që synojnë rritjen e parametrave të sigurisë në vend.

Mes ish-drejtueses Aida Hajnaj dhe kreut të SPAK Altin Dumani ka pasur shumë përplasje pikërisht mbi rolin e BKH. Nën rrogoz flitet se Keta ka qenë i preferuari i Dumanit dhe kreu i SPAK ka bërë “luftë” që ai të marrë drejtimin. Aida Hajnaj e la detyrën më 31 gusht dhe SPAK dështoi të zgjidhte pasuesin duke e mbajtur peng procesin për 3 muaj.

Ndërkohë, më 11 dhjetor, KLP do të zgjedhë edhe kreun e SPAK, pasi ky është muaji i fundit i Dumanit. Pra, duket se brenda dhjetorit zgjidhen dy figurat më të rëndësishme të luftës antikorrupsion./Pamfleti