Mishel Prela, aktori kryesor i filmit “Saimir”, i luajtur në Itali me aktorin e madh Xhevdet Ferri, tregon kalvarin e jetës, nga fama në Europë, burgu, atentati me 8 plumba e deri te jetesa në azilet e Tiranës.
Misheli i gjymtuar nga atentati, ku njërën këmbë ia kanë amputuar, thotë se aktualisht po qëndron në një azil ditor, me 20 vetë të tjerë në dhomë. “Kam një fatkeqësi që jam i amputuar. Dikur kam qenë artist, kam luajtur me të madhin Xhevdet Ferri, që sot s’është më. Dhe kam ardhur për të bërë një apel se kam shkuar në spitale dhe s’kam gjetur zgjidhje” tha ai për gazetarët e Fiksit.
Fama në Venezia, Berlin, Kanë …
Filmi “Saimir” është xhiruar në vitin 2005 dhe 2006 në Romë, Milano, Ostia dhe Firenze. “Pati dhe një sukses në festivale, Venezia, Berlin, Kanë. Pata fatin dikur të njoh Tarantinon, Scarlet Johansson, Robert De Niron, Al Paçinon dhe shumë vipa ndërkombëtarë” pohon ai.
Filmi ishte dramatik dhe quhet “Saimir”, i cili është edhe emri i i tij në film. “Unë jam në rolin kryesor. Unë u përzgjodha rastësisht në rrugë, isha me një motor dhe ndaloi një person. Më mbrapa pata fatin të mësoja me të madhin Xhevdet Ferri. Unë në atë koha s’isha në shkollë aktrimi, isha 18 për 19 vjeç”, shton më tej Misheli.
Sipas tij, regjisori italian Françesko kishte ardhur nga Italia dhe kishte bërë provime te Akademia e Arteve me aktorë profesionistë dhe s’kishte gjetur aktor. “Më përzgjodhi mua. Xhirova dhe ishte një eksperiencë fantastike. ‘Saimir’ ishte dramë, tregonte marrëdhënien babë e bir që pati dhe shumë sukses”, thotë 39 vjeçari.
“Killeri” u pagua 80 mijë euro për “kokën” time!
Misheli tregon se jeta e tij është vërtetë një film, krahas atij të luajturit. “Pata oferta për të bërë filma të tjerë në role kryesore por që më ndodhën disa probleme që s’i kisha parashikuar. Shkova në një rrugë të gabuar. U ktheva në Shqipëri dhe më ndodhi një problem. U konfliktova rastësisht për të mbrojtur një shok të vjetër. Ai personi erdhi për të më qëlluar mua. Për vetëmbrojte e qëllova dhe unë”, pohon Misheli.
Për këtë ngjarje, ai ka shkuar në burg dhe është akuzuar për plagosje. “Më dënuan me 10 vite burg. Mora avokat dhe e ula, në qeli kam qëndruar 5 vite në moshën më të re dhe më të mirë”, thotë ai.
39 vjeçari shton se me personin që ishte konfliktuar ishte sqaruar. “Ky personi që plagosa futi persona të tjerë për të më vrarë. Nuk erdhi vetë, pagoi një killer. Ky që nuk e njihja fare isha në një hotel, sapo dola jashtë më thirri ‘o Mishel’ dhe e mbaj mend që më ka kaluar plumbi i parë në rrëzë të veshit. Më ka gjëmuar për një distancë të gjatë, deri te shkolla ‘Partizani’, duke mos u reshtur fare. Unë pata 8 gjuajtje, 8 plumba në trup. Një e kam akoma në kockë, i cili më shpëtoi se pata një fluturim. Më qëlloi pas shpinë dhe dukë më ndjekur të 8 plumbat”, rrëfen ai.
Më tej tregon edhe momentin më dramatik me përballjen me vrasësin. “Në fund fare mbaj mend që ka ardhur dhe ma ka vënë pistoletën në ballë. Kam reaguar dhe i kapa pistoletën me dorë. Ia çova sipër se s’do isha më këtë ditë. Ma vuri prapë në kokë, po s’kishte më fishekë dhe iku me vrap. Te dora më kapi plumbi. Ky ishte paguar nga personi në fjalë, 80 mijë euro për eliminimin tim. Atentatori është në burg, ndërsa porositësi nuk e di”, shton Misheli.
Në spital ka kaluar një tjetër dramë, që zgjati plot 6 muaj. “Hipa në makinë dhe më çuan te Spitali ‘Nënë Tereza’, isha me pantallona të shkurtra, isha tërë gjak, me 8 plumba s’janë pak … Vinin doktorët dhe këta të policisë, mua mu merreshin mend po ikja dhe ata më pyesnin kush të gjuajti. Nuk e di u thashë. Vjen policia dhe më çojnë te Spitali Ushtarak. Aty më marrin me barelë, më fusin në sallë. Ishin 2 infermiere. Më panë kështu (me gjak) dhe thanë ‘lëne mo, mos e prek me dorë …’. Fati, hapet një derë dhe vjen një fytyrë fisnike, ishte me një këmishë të bardhë ky doktori, sot e falënderoj shumë. U thotë kapeni dhe i çon në djall, kapeni dhe reaminojeni. Më pas s’mbaj mend gjë, jam çuar pas një 3-4 ditësh a pas 1 jave s’e mbaj mend. Kam ndëjtur 6 muaj në Spitalin Ushtarak, luftë për jetë dhe arrita të mbijetoj”, tregon Misheli.
Sipas tij, doktori quhet Skënder Buci. “E falënderoj shumë dhe doktorët e tjerë që u ndodhën në atë spital. Arrita të shpëtoj, plumbat i kam pasur në bark, te veshi, në dorë, 1 e kam akoma. Falë Zotit ia dola. Pata probleme me këmbën, njëra këmbë ma amputuan. S’ma amputuan këtu se këtu ma mbanin dhe bënin ndërhyrje. Shkova në Francë kërkova azil, s’ma dhanë po pata një trajtim mjekësor. U ktheva po fatkeqësitë s’mu ndanë njëra pas tjetrës dhe nuk po bëj derman”, vijon ai.
Në fund, tregon se pas gjithë këtyre vuajtjeve, është i pastrehë. “Unë sot jetoj në qendrën ‘Strehëza’ që është në Shkozë. Momentalisht kam shumë probleme, jam vetëm. Erdha thashë t’i drejtohem Fiksit, artistëve kombëtare dhe ndërkombëtarë kush të dojë të më ndihmojë. Aty ku jam te ‘Strehëza’ jam me 20 veta të tjerë dhe nuk kam mundësi ta mjekoj këmbën as se si të lëviz. Më thanë se do më jepnin një shtëpi. Unë s’kam mundësi tjetër, marr një kemp 140 mijë lekë të vjetra në muaj, të cilat s’më mjaftojnë as për mjekime”, përfundon Misheli.




