“Ti, nusja dhe nëna, i keni telefonat në përgjim”! Ish-oficeri i operacionales i jepte te dhenat Denis Myftiut: Këtë e ke falas nga shokët, të tjerat me pagesë

Ish-oficeri i operacinales Igli Haxhiaj, duket se dëshironte që të fitonte besimin e Denis Myftiut, drejtuesit të organizatës që merrej me trafikun e kokainës dhe heroinës në Itali.

Gjatë zbërthimit të bisedave të koduara në “Sky ECC”, Haxhiaj i shkruan Myftiut se janë rreth miqësor dhe se nuk ka të bëjë me gjobë. Në shenjë besimi, Haxhiaj i shkruan Myftiut që ai, nusja dhe nëna e tij, i kanë telefonat i kanë në përgjim.

Ndërsa më tej, ish-oficeri i shkruan Denis Myftiut se ky informacion ishte falas dhe ishte dhuratë nga shokët, ndërsa për informacione të tjera, duhet të paguante.

Po vazhdove me iden qe eshte gjob po te them prap qe me fal mua, jo cjo nuk eshte gjob, o vlla miq jemi me te gjithe, kur mendon gjoben je gabim se gjoba nuk vehet mes shokesh. Po varjanse fjalet e shumta fukarallik, ma boj hallal mua qe te bezdisa. Me po na thua per miq dhe burrnia ime eshte kjo, Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat ne pergjim dhe bej kujdes kur flet. Nqs do info te tjera bojn lek, kalofsh sa me mire vlla, te rujt Zoti, kjo iahte vetem per shoket, dhurat, noten, nuk eshte gjob, e ke gabim. Nje informacion kudrejt nje pagese, po varja, kaq sa te thashe e ke dhurate nga shoket, kalofsh mire vlla”, i shkruan Igli Haxhiaj  Denis Myftiut.

Ish-efektivi i Operacionales, Igli Haxhiaj, i cili ditën e djeshme u arrestua me urdhër të SPAK, duket se nuk është i vetmi që nxirrte sekrete hetimore për llogari të grupeve kriminale.

Sipas bisedave të shumta në “SkyECC” mes Haxhiajt dhe Denis Myftiun, i shpallur po ashtu në kërkim, flitet për pazaret e dhënies së informacioneve, ku ish-efektivi i operacionales i kërkon para edhe për 2 të tjerë.

Nga “Sky ECC”, del që Haxhiaj i ka kërkuar Myftiun 15 mijë euro, nga 5 për secilin, në mënyrë që t’i jepte informacionet. Haxhiaj e informon Denis Myftiun se vetë ai dhe e gjithë familja janë në përgjim dhe duhet të bëjnë kujdes se çfarë flasin në telefon.

Po ashtu SPAK ka dyshime se Haxhiaj është përfshirë edhe në trafikun e lëndëve narkotike, pasi diçka e tillë del nga bisedat në aplikacionin e koduar. Por deri më këto momente nuk ka prova ndaj ish-efektivit të operacionales.

Gjithashtu, Denis Myftiu është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi dyshohet se është personi që është marrë me organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria në Itali.