Gazetari dhe analisti i njohur Aleksandër Çipa i ka dedikuar disa vargje të ndjera poetit dhe mikut të rij të shtrenjtë, Arben Dukës, në ditën e lindjes. Ai mbylli sytë përgjithmonë në Dhjetor 2021, ndërsa pak javë më pas i ndërroi jetë dhe djali në SHBA.
“Sot është përvjetori i ditëlindjes së poetit që jetoi si një organizëm poetik Arben Duka. Në botën e amëshimtë ku gjendet, së bashku me birin e vet Denisin, nga ne të gjallët që e deshëm dhe e duam, pret jo më urime por shenja kujtese”, shkruan Çipa, teksa ndan vargjet e mëposhtme:
“O Arben që fjete kur lodhe gjithë dhimbjet,
Vetë e parathe: “ janë të gjata vdekjet”
Me gurë të Argjiros bën kalldrëm në zëmër,
Odria aq e shtrenjtë, që ty t’u mbart ëndërr.
Tani në vendin tënd shtatore ngre vetmia,
E lashë sot një cigare dhe s’u shfaq Perëndia.
Në hap më ra një dorë mendimi rëndur lot,
Ti mërmërite Ben:” O bir s’të ktheva dot!”
Në vendin që e deshe o dukë i fjalës shqipe,
Dy shpirtra mori qielli, dy trupa vdiqe, vdekje.
Të ndarë si në baladë, syrgjin dy kontinente,
Nga qielli marrim shi, shpirtrat i mban për vete.”
Aleksandër Çipa publikon dhe një fotografi të poetit me të birin dhe shkruan “Në paharresë, ke vend të pakufizueshëm, poet e vëlla i shpirtit tim, Arben Duka!
Ai është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë, si dhe bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Arben Duka ka fituar dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar.




