Aktori i njohur me origjinë shqiptare që ka bërë karrierë në Greqi, Nikos Gelias, ka ndarë së fundmi për publikun grek një rrëfim të sinqertë dhe të ngarkuar emocionalisht. Në një intervistë për televizionin “Mega”, ai foli jo vetëm për rolin e tij të ri në serialin “Mavo Rodo”, por edhe për një pjesë të rëndësishme dhe të dhimbshme të jetës së tij private, që lidhet me origjinën dhe përvojat e racizmit.
Gelias, i cili prej vitesh është bërë një figurë e dashur për publikun grek falë talentit dhe prezencës së tij në ekran, vendosi të “hapë zemrën” dhe të tregojë pengjet dhe sfidat me të cilat është përballur që në fëmijëri. Ai rrëfeu se ka emigruar në Greqi së bashku me familjen kur ishte vetëm 5 vjeç, si pjesë e valës së emigrantëve ekonomikë që kërkonin një jetë më të mirë.
Por vitet e para të jetës atje nuk kanë qenë aspak të lehta. Aktori tregon se për shkak të origjinës shqiptare, familja e tyre është përballur me refuzim dhe diskriminim të vazhdueshëm. Ata detyroheshin të ndërronin shpesh banesë, pasi shumë pronarë i largonin sapo mësonin se ishin shqiptarë. Ky realitet, siç shprehet ai, ka lënë gjurmë të thella.
Përvoja e tij e hidhur ka vijuar edhe në shkollë, ku sipas rrëfimit të tij, mësuesit shpesh nuk i jepnin as fjalën në klasë, vetëm për shkak të origjinës së tij. Kjo formë e heshtur e racizmit ka qenë një barrë e madhe për një fëmijë që përpiqej të përshtatej në një vend të ri.
Vetë aktori u shpreh në intervistë:
“Origjina ime është nga Shqipëria, kam ardhur në Greqi në moshën 5 vjeç, si emigrant ekonomik. Kemi ndërruar shpesh lagje kur kemi ardhur në Greqi, sepse duke qenë shqiptarë na kanë nxjerrë nga shtëpitë tona.”
Rrëfimi i tij ka prekur shumë shikues, të cilët shohin tek ai jo vetëm një artist të talentuar, por edhe një simbol të sfidave që kanë kaluar dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi gjatë viteve të para të tranzicionit.
Ndërkohë, Gelias vazhdon karrierën me role të rëndësishme në televizion, duke treguar se pavarësisht paragjykimeve të dikurshme, puna dhe përkushtimi mbeten mënyra më e fortë për t’i thyer barrierat.




