Një 70-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj në Korçë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se e moshuara jetonte e vetëm në një pallat në lagjen nr 17.

Ajo është identifikuar si Bajame Metali. Ka qenë fqinja e saj që ka lajmëruar policinë pasi prej disa ditësh nuk e kishte parë të moshuarën.

Dyshohet që e moshuara të ketë disa ditë që ka ndërruar jetë, ndërsa nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet që trupi ti nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.

Mësohet se të moshuarës prej vitesh nuk dilte nga banesa ku jetonte e vetme pasi i kishte ndërruar jetë bashkëshorti ndërsa djali i saj ishte në burg.

Fqinja e të moshuarës thotë se 70-vjeçarja jetonte e vetme, pasi djalin e kishte në burg, ndërsa bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë kohë më parë. Ajo tregon se lajmëruan policinë, pasi u shqetësuan pasi nuk e kishin parë ditën e fundit.

Fqinja: Më tha komshija ‘ta shikojmë njëherë Bajamen se s’po ndihet’. I thashë që hajde ta shikojmë, ikim bashkë. Ikëm të dyja, morëm dhe komshiun se kishim frikë, u fut ai komshiu dhe më pas ne. Ajo kishte rënë nga divani, i njoftuam të motrën i thamë që ‘hajde se ka vdekur Bajamia’.

Lajmëruam edhe policinë. Ne nuk hynim e dilnim me të se ishte mistrece, derën e ka të shkallmuar, ia ka shkallmuar i biri. Jetonte vetëm, as nuk hante e pinte, nuk i dërgonte njeri ushqim.

Dyshuam sepse nuk po ndihej, sepse ajo i gjuante me shkop tavanit të një komshije kur kishte nevoje për diçka. Dhe menduam të shkonim ta shikojmë, e gjetëm të vdekur.

Djalin e ka në burg, ajo ishte në vështirësi ekonomike, pa ngrëne pa pirë. Ishte e sëmurë, ra nga kati i katërt dhe u paralizua. Vinte ndonjëherë e motra nga Tirana i bënte shërbim.