Këngëtari Erik Lloshi është shprehur tepër i indinjuar nga disa komente që i kanë ardhur së fundmi në emisionet që ka folur në nderim dhe në kujtim të Shpat Kasapit.
Ai ka treguar në një intervistë se teksa ka qenë i ftuar në një emision fill pas ndarjes nga jeta të artistit 40-vjeçar Shpat Kasapi, Lloshi nuk ka mundur t’i frenojë lotët.
Prapap kuintave të emisionit, këngëtarit i janë bërë komente të tilla si “Sa bukur qaje” dhe madje i kanë ardhur ftesa të tjera që “të qaj” sërish për mikun e ndjerë.
Këto fraza i kanë krijuar artistit një irritim dhe është ndjerë tepër i revoltuar se si gazetarët mund të flasin në atë mënyrë për një humbje të tillë si ajo e Shpat Kasapit.
Këngëtari Erik Lloshi ka reaguar me dhimbje të thellë për ndarjen e papritur nga jeta të mikut dhe kolegut të tij, Shpat Kasapi, i cili u shua një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak. I ftuar në studion e News24, Lloshi tregoi momentet e fundit të komunikimit me Shpatin dhe e përshkroi atë si një njeri të qeshur dhe gjithmonë pozitiv.
“Kam pasur shumë vite miqësi me Shpatin. Më vjen shumë e vështirë të flas, sepse kohët e fundit po frekuentoheshim edhe më shpesh për shkak të një bashkëpunimi që kishim në plan,” u shpreh Lloshi, teksa i përcolli ngushëllimet familjes. Ai shtoi se lajmi e ka tronditur thellë: “Dje, kur u shtriva për të fjetur, isha me shpresën që nuk do të ishte e vërtetë. Na ka dhënë vetëm buzëqeshje, nuk e kam parë kurrë të mërzitur.”
Këngëtari kujtoi edhe bisedën e fundit me Shpatin, vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta: “Kam folur ditën e enjte ose të premte. Më tha: ‘Erik, do vij dhe do hedhim këngën.’ Më duket ende e pabesueshme.”
Lloshi tregoi se Kasapi ishte njeri i kujdesshëm ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj tij personalisht: “Në një tavolinë, njëherë, nuk u ndjeva mirë dhe Shpati kishte merakun tim. Më thoshte: ‘Kujdesu për veten.’ Nuk pashë kurrë shenja shqetësimi te ai, nuk ishte ankuar për asgjë. Ishte shumë mirë dhe gjithçka erdhi krejt papritur.”
Sipas Lloshit, Shpati pritej të kthehej dje nga Italia në Shqipëri. Ai shtoi se stresi është një faktor që mund të ndikojë në probleme të tilla shëndetësore: “Secili prej nesh është i rrezikuar. Shikojmë çdo ditë raste të tilla.”
Në lidhje me familjen e Kasapit, ai tha se këngëtari nuk fliste shpesh për problemet shëndetësore të të birit, duke besuar gjithmonë te fati: “Më thoshte gjithmonë: ‘Do marrim atë që kemi kismet.’ Bënte një këngë dhe e linte publikun ta vlerësonte.”
© BalkanWeb




