Vajza e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Aleksia Peleshi, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram një reflektim të thellë mbi rrugëtimin e saj shpirtëror dhe besimin në fenë islame. Në një postim nga Xhamia Sheikh Zayed në Abu Dhabi, Aleksia rrëfen përvojën e saj personale dhe momentet e transformimit shpirtëror.
“Ky vit ka qenë një pikë kthese në jetën time. Kam kërkuar Islamin për pesë vjet, duke u afruar dhe duke u tërhequr… por tani e ndjej se po vendoset në zemrën time si në shtëpi,” shkruan ajo, duke përshkruar udhëtimin e saj të gjatë të besimit që ka përfshirë lutje, lexim dhe reflektim të thellë.
Aleksia thekson gjithashtu se, edhe shpesh ballafaqohet me paragjykime dhe islamofobi edhe nga njerëzit e zemrës, por kjo nuk e ndal të ndajë me të tjerët bukurinë e Islamit dhe ndikimin e tij në jetën e saj.
“Me siguri e keni vënë re se përballem me shumë paragjykime dhe islamofobi. Si nga njerëzit që nuk më njohin, ashtu edhe nga ata që janë më afër zemrës sime. Por kjo është në rregull, sepse më shtyn vetëm të vazhdoj të flas për bukurinë e islamit dhe sa shumë më ka dhënë. Si nga brenda ashtu edhe nga jashtë”, shkruan Aleksia.
Ajo shton: “Nuk e kam dashur, respektuar dhe nderuar kurrë veten më shumë se tani. Hidaja e Allahut më ka ndihmuar të gjej veten më shumë se çdo gjë në këtë botë.”
Postimi përfundon me një mesazh mirënjohjeje dhe lutjeje për ndjekësit e saj: “Ju mbaj të gjithëve në duatë e mia, Rabbena yebarek fikum.”
Aleksia Peleshi ka treguar më herët se udhëtimi i saj shpirtëror ka nisur pesë vite më parë, duke u përqendruar gradualisht në praktikimin dhe kuptimin e besimit islam. Aktualisht ajo vazhdon të ndjekë këtë rrugë mes jetës moderne dhe besimit të thellë, duke udhëtuar dhe jetuar mes Spanjës dhe Egjiptit.
Pata një epifani të vogël ndërsa po shëtisja rreth kësaj xhamie të bukur:
Ky vit ka qenë një pikë kthese në jetën time, për një arsye të thjeshtë: E forcova imanin tim më shumë se kurrë më parë. Kam kërkuar Islamin për pesë vjet, duke u rrotulluar rreth tij, duke iu afruar dhe duke u tërhequr… por tani e ndiej se po vendoset në zemrën time si në shtëpi.
Nuk zbriti mbi mua në një moment të vetëm ndriçimi; më duhej të “punoja” për të. U luta, lexova, dyshova, vura në pikëpyetje, rashë dhe u ngrita përsëri – por gjithmonë, gjithmonë, e gjeta veten duke u kthyer tek Allahu.
Këtë vit kalova më shumë kohë vetëm sesa kam kaluar ndonjëherë. Jetova vetëm, eca vetëm, udhëtova vetëm, u ula vetëm… megjithatë kurrë nuk u ndjeva e vetmuar. E dini pse? Sepse ndjeva praninë e Allahut pranë meje në çdo hap, çdo lot, çdo moment heshtjeje.
Me siguri e keni vënë re se përballem me shumë paragjykime dhe islamofobi. Si nga njerëzit që nuk më njohin, ashtu edhe nga ata që janë më afër zemrës sime. Por kjo është në rregull, sepse më shtyn vetëm të vazhdoj të flas për bukurinë e islamit dhe sa shumë më ka dhënë. Si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.
Nuk e kam dashur, respektuar dhe nderuar kurrë veten më shumë se tani. Hidaja e Allahut më ka ndihmuar të gjej veten më shumë se çdo gjë në këtë botë.
Elhamdulilah.
Ju mbaj të gjithëve në duatë e mia, Rabbena yebarek fikum




