Denisa, bashkëshortja e tiktokerit Kozak, ka ndarë një rrëfim prekës nga spitali, vetëm një ditë pasi përjetoi një aksident automobilistik që e tronditi thellë. Lajmi i mirë është se ajo dhe bebi i saj janë në gjendje të mirë shëndetësore. Përmes disa postimeve të ndjera në Instagram, Denisa ka reflektuar mbi përvojën e vështirë, duke e cilësuar si një sprovë të fortë shpirtërore. Ajo e përshkroi aksidentin si një moment që i ndali frymën dhe i mbushi zemrën me frikë, duke e vënë përballë realitetit të brishtësisë së jetës.
“Dje Zoti më vuri përballë një prove shumë të fortë. Një aksident që më ndali frymën dhe më mbushi me frikë”, shkroi ajo, duke treguar se në ato sekonda mendja dhe zemra i shkuan vetëm te jeta që mbante brenda saj.
Fatmirësisht, gjithçka ka përfunduar pa pasoja serioze. Denisa konfirmoi se si ajo, ashtu edhe bebi, janë mirë, duke shprehur lehtësim dhe falënderim të madh: “Në atë moment mendova vetëm për bebin tim. Falë Zotit, si unë, si ai, jemi mirë”.
Ngjarja e ka shtyrë atë të bëjë edhe një thirrje ndërgjegjësuese për të gjithë ndjekësit e saj, duke i ftuar të tregojnë më shumë kujdes në rrugë. “Një moment, një përplasje dhe gjithçka mund të ndryshojë. Ju lutem, kujdesuni për veten dhe për njëri-tjetrin”, shkroi ajo.







