Servet Pëllumbi, një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare dhe themelues i Partisë Socialiste, feston sot 89-vjetorin e lindjes.
Me këtë rast të veçantë, djali i tij, Arben Pëllumbi, ka ndarë me ndjekësit një foto të së atit, të shoqëruar me një urim për njeriun që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në jetën politike të vendit, por edhe në formimin e brezave.
Në foto, vitet e kaluara janë të dukshme në portretin e politikanit të majtë, por përtej rrudhave dhe kohës që ka lënë shenjën e saj, Servet Pëllumbi ruan ende hijeshinë, qetësinë dhe dinjitetin e një personaliteti të madh publik, ashtu siç është njohur gjithmonë.
“Gëzuar ditëlindjen, baba. Jeta jote ka qenë një dialog i vazhdueshëm mes mendimit dhe veprimit, mes filozofisë dhe përgjegjësisë publike.
Ke dëshmuar se idetë kanë vlerë vetëm kur i shërbejnë njeriun dhe se politika merr kuptim kur mbështetet në parime. Për mua, më shumë se një figurë e rëndësishme publike, ke qenë gjithmonë një mësues i heshtur i karakterit. Jam krenar për trashëgiminë mendore dhe njerëzore që më ke lënë. Të uroj shëndet, qetësi dhe respektin e qëndrueshëm që lind nga mendimi i lirë dhe qëndrimi i drejtë”, shkruan ai.
Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë. Ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ai njihet si një nga figurat kyçe që ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të vendit që nga fillimet e tranzicionit demokratik.
Me një karrierë të gjatë në radhët e Partisë Socialiste dhe në Kuvendin e Shqipërisë, Servet Pëllumbi ka dhënë një kontribut të vyer në jetën institucionale të vendit. Për meritat e tij, ai është dekoruar nga Presidenti Alfred Moisiu me urdhrin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.




