Kryeministri i ardhshëm?? Plani ‘B’ i amerikanëve me Dumanin: Çfarë fsheh në prapaskenë përplasja fatale me Edi Ramën?

Shkresa për Ballukun shënon përplasjen politike mes ish-kreut të SPAK-ut dhe Kryeministrit, në prag të betejës për mandatin e drejtësisë speciale

Kërkesa e firmosur nga Altin Dumani, i cili nuk është më de jure drejtues i SPAK-ut, drejtuar Kuvendit për Belinda Ballukun, është qartazi një përplasje politike me Edi Ramën.

Altin Dumani, në shkresën e fundit si drejtues i prokurorisë speciale, ka rritur dozën e akuzës, duke i marrë mbarë të gjithë tenderët, për t’i cilësuar si të trukuar dhe me shkelje ligjore.

E gjithë kjo, më shumë sesa një lëvizje juridike për të siguruar provat e duhura për një rast penal të veçantë, është një sulm politik ndaj qeverisë dhe, përkatësisht, një sfidë ndaj Edi Ramës.

Nuk ka më dyshim se për këtë luftë që ka ndërmarrë kreu i larguar i SPAK-ut ekziston nxitja e ndërkombëtarëve, posaçërisht e amerikanëve. Por kleçka këtu është se cili është objektivi apo objektivat e kësaj lufte.

Njëri dihet dhe e kemi thënë disa herë: synon presionin ndaj mazhorancës për të arritur shtimin e mandateve të prokurorëve të SPAK-ut. Gjë për të cilën Edi Rama ka dhënë përgjigjen përfundimtare të dielën, se nuk do ta kryejë.

Atëherë duket se amerikanët kanë kaluar në pikën e dytë të planit, ose në Planin B, i cili konsiston, siç duket, në zbritjen në fushë të Altin Dumanit si një lojtar i fortë publik, si rival politik i Edi Ramës.

Siç duket, kjo lëvizje po merr formë dhe duhet që shpejt të kthehet në një manovër konkrete atë aset që Dumani ka në mbështetjen publike.

Shkresa drejtuar Kuvendit nuk është gjë tjetër veçse një ftesë dueli me Edi Ramën, duke i treguar qëndrimin e tij publik mbi atë që qeveria bën me fondet publike, që nga rrugët e deri te AKSHI.

Me një fjalë, jemi në një fazë ku Dumani po bëhet gati të zbresë në fushë si lider i opozitës dhe alternativë e Edi Ramës.

Nuk është aspak rastësi që kreu i larguar i SPAK-ut ka pasur disa takime në rrethe të ndryshme të vendit me pjesëtarë komunitetesh, kryesisht të rinj, për të promovuar veten si një orator publik.

Po ashtu, intervistat që ka bërë gati në televizione dhe gazeta synojnë ta formësojnë diskursin e tij në një kuadër më të gjerë sesa ai i një prokurori që merret vetëm me procedura.

Për këtë duket se Altin Dumani ka marrë ‘OK’ nga amerikanët, të cilët, nga ana tjetër, kanë kurdisur edhe të gjitha rrëmujat në PD, me qëllim që të bëjnë të mundur largimin e Sali Berishës.

Qoftë pritja e Gazment Bardhit në Amerikë nga një asistente e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, qoftë lëvizja e Salianjit apo protestat e Adriatik Lapajt, nuk janë gjë tjetër veçse copëza të një “puzzle”-i të ri amerikan që po sfidon Edi Ramën, drejt një fundi apo ndryshimi politik të madh./Pamfleti