Ilir Gjoni, një politikan dhe diplomat karriere, është liruar sot nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, përmes një vendimi të beftë të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.
Dekreti ka marrë fuqi të menjëhershme, por nuk dihen arsyet, përcjell newsbomb.al. Ajo që dihet me siguri, është se propozimi për shkarkimin e Ilir Gjonit është bërë nga Kryeministri Edi Rama dhe Begaj vetëm e ka firmosur.
Ambasadori Ilir Gjoni është emëruar në krye të misionit të Shqipërisë në NATO dy vite më parë, pas një karriere tridhjetë vjeçare në institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare.
Vendimi per lirimin nga detyra te Ambasadorit Ilir Gjoni
Ai ka qenë diplomat karriere (MPJ) për më shumë se dhjetë vjet, ndërkohë, ka shërbyer si Drejtor Kabineti në Kryeministri në vitet 1999-2000, kur qeveria drejtohej nga Ilir Meta. Gjithashtu, ai ka shërbyer dhe dy herë si ministër, përkatësisht Ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm përkatësisht në vitet 2000-2002.
Ilir Gjoni ka qenë deri në vitin 2013 kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, një ndër zërat më aktiv të kësaj force politike në momentet më të vështira në opozitë, shkruan newsbomb.al.
Ai është zgjedhur edhe deputet në dy legjislatura; në vitet 2001- 2005 dhe 2009-2013, duke përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë qytetarët dhe votuesit socialistë. Kur PS mori pushtetin, Ilir Gjoni u emërua Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane dhe Principatën e Lihtenshtajnit.
Kjo ishte detyra e parë e tij si diplomat dhe shërbyeu për plot një dekadë, nga viti 2014 deri në vitin 2023. Në përfundim të kësaj detyre, në Shtator 2023, Ilir Gjoni u emërua Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në NATO.
Mirëpo, pavarësisht viteve që i ka shërbyer Partisë Socialiste dhe shtetit shqiptar si diplomat karriere, është e paqartë se përse pas dy vitesh, Edi Rama u detyrua t’i propozonte Presidentit Bajram Begaj, që të nxirrte dekret për lirimin e Ilir Gjonit.
© Newsbomb.al




