E bujshme! Ja nga cilat qytete janë shqiptarët

Si grupet kriminale nga Shqipëria po zëvendësojnë Cosa Nostra-n dhe po shndërrohen në nyje kyçe të trafikut në Mesdhe…

Prania e grupeve kriminale shqiptare në lindje të Siçilisë është bërë prej kohësh objekt diskutimi në mediat italiane, kryesisht përmes investigimeve të gazetarit Giuseppe Bascietto.

Së fundmi, televizioni publik italian RAI, në emisionin shumë të ndjekur të mëngjesit UnoMattina, i dha këtij fenomeni një përforcim më të madh, pasi në redaksi kishin mbërritur disa telefonata dhe mesazhe nga banorë të ishullit të Siçilisë.

Siç mësohet, më shumë se sa një mesazh redaksional, bëhet fjalë për një sinjalizim të përcjellë edhe në antimafian italiane, e cila synonte të jepte dhe të komunikonte një kuptim më të gjerë mbi fenomenin, për të cilin ka informuar prej kohësh edhe autoritetet shqiptare.

Deri tani nuk jemi në fazën e komunikimeve zyrtare me letër-porosi apo kërkesa për veprime procedurale, siç janë arrestet apo vendimet për përgjim, por në fazën e njohjes dhe diskutimit të çështjes në aspektin didaktik dhe informues.
Në seminare të ndryshme, autoritetet policore shqiptare dhe ato italiane po kryejnë një studim të fenomenit në nivel makro, për të kaluar më pas në një fazë të re, që përfshin ndjekjen, përgjimin, arrestimin dhe hapjen e dosjeve penale.
Problemi me anëtarët e bandave kriminale, përkatësisht mafiozët, nuk është kapja e tyre për krime të përditshme, si rrahjet, mbajtja e armëve pa leje apo drejtimi i makinave me shpejtësi të lartë, në gjendje të dehur apo nën efektin e narkotikëve.

Kjo ndodh shpesh dhe nuk sjell rezultate afatgjata; përkundrazi, forcon më shumë figurat e krimit, pasi u rrit reputacionin në rrethin e tyre, duke shtuar klientët dhe bashkëpunëtorët.

E vetmja mënyrë për të dëmtuar këto banda, pasi eliminimi i tyre nuk ndodh kurrë, është kapja e provave për trafikun e kokainës, pastrimin e parave dhe shoqërimin e këtyre aktiviteteve me përdorimin e armëve të zjarrit, pengmarrjet, vrasjet dhe shantazhet, për të arritur më në fund në provat për grup të strukturuar kriminal.

Deri tani, megjithatë, është konstatuar një fenomen i rëndësishëm: disa figura të njohura të krimit shqiptar kanë pozita dominuese në një zonë superstrategjike, jo vetëm për Italinë, por për gjithë Mesdheun.

Pjesa lindore e Siçilisë përfshin katër qendra të rëndësishme, të cilat janë edhe zonat më të zhvilluara të ishullit. Në këtë rajon ndodhet Catania, qendra më e madhe administrative dhe ekonomike, e cila dikur kishte një nga koskat më të fuqishme të Cosa Nostra-s. Përveç Catanias, pjesë e rrjetit janë edhe Taormina, zonë superturistike, Ragusa, qendër ekonomike e fuqishme, dhe Sirakuza, qyteti i famshëm i Pitagorës së Madh.

Në gjithë historinë njerëzore, kjo pjesë e Siçilisë, përveçse një grumbullim kulturash, ka qenë një nyje kyçe për tregtinë botërore përmes Mesdheut. Ajo lidh Greqinë, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme me pjesën kontinentale të Europës, duke përbërë një nga arteriet kryesore të tregtisë nga Lindja drejt Perëndimit.

Një mjedis ideal për trafiqe, por edhe për mbulimin e aktiviteteve kriminale përmes bizneseve të ligjshme dhe cilësore, si agroturizmi dhe prodhimet bujqësore, siç thekson edhe antimafia italiane.

Po nga cilat zona vijnë kryesisht grupet shqiptare që veprojnë në Raguzë dhe Sirakuzë? Sipas autoriteteve italiane, pjesa më e madhe e tyre vjen nga Fieri dhe Mallakastra, zona që kanë gjithashtu kontroll dhe influencë në Greqi, kryesisht në Spartë, Peloponez dhe Atikë, pra Athinë dhe Pire.

Hetimet dhe hulumtimet kanë zbuluar një lidhje të pandarë të këtyre grupeve me aktivitetet kriminale në Greqi dhe Shqipëri, ku vlerësohet se investohen kapitale të mëdha të përfituara nga veprimtari të paligjshme, ku trafiku i kokainës zë pjesën kryesore.

Sipas vlerësimit të autoriteteve italiane, mbushja e boshllëkut të Cosa Nostra-s në Siçili nga grupet shqiptare nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë aftësie të jashtëzakonshme të këtyre të fundit. Kjo ka ndodhur sepse shqiptarët kanë marrë me qira “biznesin” kriminal që ushtrohet në këtë zonë.

Në këtë skemë, shqiptarët veprojnë si nënkontraktorë të ’Ndrangheta-s kalabreze, e cila ka kryer negociatat me grupet siçiliane dhe ka arritur në përfundimin se, nëse ky “koncesion” nuk do të jepej me qira, atëherë dikush tjetër do të zinte vendin më të lakmuar të trafikut dhe tregtisë në Mesdhe.

Për këtë arsye, vlerësojnë autoritetet italiane, shqiptarët që veprojnë si nënkontraktorë kërkojnë të fitojnë dhe të investojnë shumë e shpejt. Por komisioni që ata i paguajnë ’Ndrangheta-s dhe Cosa Nostra-s është i lartë, ndaj po rrisin ndjeshëm volumin e tregtisë, i cili, sipas parashikimeve, do të sjellë edhe “efekte anësore”: vrasje, eliminime, shantazhe dhe dhunë të vazhdueshme.

Për këtë arsye, autoritetet po frikësohen nga një situatë që mund të dalë jashtë kontrollit, pasi shqiptarët, me fuqizimin e tyre, nuk do të tërhiqen më, edhe nëse shpërthen ndonjë luftë, të cilës zakonisht nuk i thonë kollaj “jo”.
Argumenti për përgatitje për përplasje të armatosura, sipas ekspertëve, lidhet me kontrollin e fortë territorial në zonën e Catanias, ku veprojnë “ushtarët” e mafies, e cila, edhe për shkak të demografisë, sot mund të konsiderohet një basen i mbizotëruar nga shqiptarët./Pamfleti