Edi Rama ka rënë

Ilir DAKO

Edi Rama është në përpëlitjet e një agonie që çdo ditë po i merr pikat e fundit të oksigjenit që i kanë ngelur nga ditët e fundit të një pushteti autokratik. Kryeministri shqiptar ka rënë dhe nuk i mjaftojnë as 83 mandatet dhe as miliardat e grabitura. Nuk i mjaftojnë as blerjet e ndërkombëtare dhe as ishulli i Sazanit, as Porto Romano, as kinezët e Smart City, as Erdogani e dreqi e djalli bashkë. I është prerë çdo rreze drite për të qëndruar në pushtet. SHBA i ka dërguar mesazh të prerë që ditët e tij janë të numëruara dhe çdo tik tak që troket po i heq çdo sekondë të mbretërimit të tij.

Edi Rama ka rënë.

Nëse shikon krekosjet e tij ngjasojnë më shumë me kakarisjet e gjelit në majë të plehut sesa të mbretit fuqiplotë. Gjeli kryeministër ngjason me një specie që i kanë rënë puplat dhe pendët dhe çdo ditë del më lakuriq se kurrë. Piktori që u shndërrua nga artist në amalgamë e keqe e një gangsteri, që e shndërroi xhyben e kryeminsitrit në një mantel banditi që rrënoi shtetin në një ngrehinë antiligjore dhe shërbëtore të bandave që grabisin dhe rrëmbejnë çdo para apo pronë publike është në agoni të plotë.

Edi Rama ka rënë.

Podcastet e tij e tregojnë açik nivelin e panikut. Ai bërtet, ulëret, klith si një kec që i kanë futur thikën në zemër dhe kërkon ndihmë për ta shpëtuar, ndërkohë që përpëlitet në agoni. Askush se ndihmon dot më. Paniku e ka pushtuar dhe me ulërimat e tij mendon se do shkaktojë efekte frike, ndërkohë që terrori që e ka kapluar i ka shpërthyer nga shpirti dhe sytë e tij lëshojnë sinjale SOS.

I zhytur në zullumet e tij, Edi Rama kërkon të shpëtojë veten dhe bandën e tij me një përpjekje të dëshpëruar, të pashpresë për të ndaluar fundin e tij dhe shpëtimin e banditëve që ka garbitur për 13 vite pushtet. Ai i ka hapur luftë SHBA, BE dhe perëndimit për të hedhur edhe këtë herë lumin e zullumit, duke kërkuar i dëshpëruar një fije dritë në një rastësi fatlume. Shanset janë zero. Edi Rama ka rënë së bashku me ngrehinën e tij rilndase pa asnjë shpresë, pa asnjë iluzion se në fund të tunelit mund të shikojë një rreze drite. Ai refuzon të komunikojë me amerikanët dhe ka refuzuar të dërguarën me punë për të dëgjuar mesazhet e SHBA. Ai nuk ka pranuar të dëgjojë me veshët e tij verdiktin që është marrë për të.

Ai tashmë është i dënuar.

Heronjtë i kanë rënë rrugës dhe një listë e re është në ekzekutim. SPAK ka trokitur te dera. Po i kërkojnë kokën e Belës, pas Belës të Lindës së AKSHI, pastaj Karçanit, kunatit të Lindës Ramës shumë shpejt do i trokasin në Surrel dhe LIndës së tij. Zullumi e ka mbytur bashkë me verën 30 mijë euroshe që konsumonte me koordinatorin e tij të bandave. Kur dëgjon shifra me 300 apartamente dhe jahte, vila dhe shpenzime luksi marramendëse kupton se Edi Ramën po e zë poshtë makutëria e tij dhe e bandës së tij. SPAK po e shkund nga themelet perandorinë e tij të të babëziturve. Fati i tij është shkruar në gur dhe çdo ditë do shohim me sytë tanë sesi do bien një e nga një ushtarët e tij të betejave korruptive.

Edi Rama e ka ndarë mendjen dhe i ka shpallur luftë SHBA.

Pushtetarëve shqiptarë kur i deh pushteti nuk e njohin frikën. As nga ndërkombëtarët dhe as nga ligji. Ashtu si Sali Berisha refuzoi amerikën në ’96, edhe Edi Rama po bie në të njëjtën gropë. Ai ka vendosur të refuzojë SHBA, të cilët prej kohësh i kanë bërë të qartë se është i padëshirueshëm për ta.

Ai është i dënuar.

I dënuar se ka luajtur me interesat kombëtare të vendit të tij, por dhe të aleancës që bëjmë pjesë dhe roli udhëheqës i kësaj aleance është i SHBA. Ai ka prekur drejtpërdrejtë interesat kombëtare shqiptare por dhe ato amerikane.

Nëse fati i Sali Berishës dihet, në 1997 e hodhën me dhunë, fati i Edi Ramës është më enigmatik, më i paparishikueshëm dhe më i frikshëm. Ai ka prekur fundin dhe kur prek fundin nuk ka zot të shpëtojë. Ky konstatim nuk është as fall dhe as profeci, është epilogu i një drame shqiptare.

Vila e Surelit është nën rrethim.