Të veshur si BKH-së dhe polici, dalin PAMJET e rrmbimit të biznesmenit: Gerond Meçe u mor png nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri

Më 12 gusht të këtij viti, rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe, u krye nën “kamuflimin” e autoritetit. Autorët të veshur me uniforma policie dhe të ngjashme me ato të agjentëve të BKH-së i afrohen viktimës duke përdorur simbolikën e shtetit si mjet frike dhe nënshtrimi, tregohet në pamjet e publikuara nga VNA.

Meçe u mbajt për orë të tëra nën shantazh me qëllim bindjen për tu tërhequr nga ankimimet për tenderat e AKSHI-t. Dhe vetëm pasi u bind dhe hoqi dorë biznesmeni u la i lirë i braktisur në një fshat të Elbasanit.

Sipas hetimeve ka rezultuar se urdhri për rrëmbim erdhi nga grupi kriminal i drektuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kujtojmë se këta dy të fundit janë në kërkim, teksa drejtuesja dhe zëvendësdrejtuesja e AKSHI-t ndodhen nën masën e arrestit në shtëpi.

Gazetari Armand Maho, ka publikuar një video në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ku paraqitet “qilari luksoz” me verërat e biznesmenit Ergys Agasi.

Krahas videos ai me ironi ndaj biznesmenti dhe kreut të qeverisë ka shkruar: “Ja dhe qilari Gys Agasit, para se ta “rruanin” e t’ia çonin pronarit faktik ne Surrel. Gjallë janë bilbilenjtë bijtë e partisë.”

Në pamjet e publikuara paraqiten dhjetra shishet e verës që “i bënë gropën” biznesmenit.

Kujtojmë se Dhjetëra shishe verë pa pullë fiskale me vlerë rreth 3 milionë euro janë sekuestruar në shtëpinë e biznesmenit Ergys Agasi. Ai është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenë dhe përmes dhunës, i detyronte të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHIT.

Verërat janë konstatuar nga agjentët e BKH-së, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit dhe është njoftuar Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e tyre për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore.

Burime bëjnë me dije se në një moment është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi më herët ishte kryer fotografimi dhe dokumentimi i plotë i tyre nga grupi i hetimit.

Sipas burimeve, një shishe kushtonte nga 7 deri në 10 mijë euro dhe bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për burimin e ligjshëm të pasurisë.

Ndërkohë për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurisë arrest me burg, ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv drejtoreshën e AKSHIT. Të dyja masat janë konfirmuar nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.