Avokati i “bosave” befason: Ja ku ndodhet Gys Agasi,

Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të tërhequr dokumentacionin që lidhet me klientin e tij.

Në një deklaratë për mediat, Haxhia tha se dosja hetimore është shpërndarë tashmë në media, ndërkohë që ai dhe klienti i tij ende nuk janë njohur zyrtarisht me të.

Sipas tij, Ergys Agasi ndodhet aktualisht jashtë shtetit për shkak të një marrëveshjeje biznesi, por do të vetëdorëzohet sapo të kthehet në Shqipëri. “Patjetër që do të vetëdorëzohet. Kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij dhe do të përballet me drejtësinë,” u shpreh Haxhia.

Avokati ngriti gjithashtu shqetësime për nxjerrjen e informacionit nga dosja hetimore, duke e cilësuar këtë si një komprometim të procesit nga ana e SPAK. Sipas tij, konkluzionet janë nxjerrë më herët nga politika dhe opozita.

“Kur nuk është politikan, ç’lidhje ka ai me emërime? SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe në prova. Nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave, madje as nuk e njeh personin në fjalë,” deklaroi Haxhia

“Për procesin, jemi përpara një procesi që mund ta quajmë gjueti shtrigash. Mund të provohen disa elementë: Agasi është biznesmen që nuk ka përfituar nga financat publike nëpërmjet tenderave. Në asnjë proces të AKSHI-t nuk figuron të ketë kandiduar.

Agasi është biznesmen me reputacion dhe nuk lejon askënd, as SPAK-un, të nxjerrë materiale që kanë të bëjnë me jetën e tij private. Dua të bëj me dije se zoti Agasi nuk e ka njohur personin që pretendohet se është marrë peng. Si mund të marrë pjesë Agasi në një vepër të tillë, kur nuk është në proces tenderimi?

Unë shkova dhe bëra me dije se jam avokati i zotit Agasi, pranë prokurorëve dhe familjes. Agasi nuk është larguar; ka rastisur që ndodhet jashtë vendit. Zotit Agasi i kanë tentuar t’i vjedhin zyrën; ajo është një aparaturë që është vendosur prej vitesh dhe nuk ka asnjë përfaqësues të qeverisë. Po del sikur paska levën e Arkimedit, me të cilën lëviz ministra, deputetë dhe prokurorë.

Me eksperiencën time në fushën e drejtësisë, nuk di të ketë vepër penale për miqësi, biznes, takime apo në fusha të tjera të jetës. Nëse SPAK ka këtë filmim, le ta bëjë publik dhe ne të japim shpjegime. Çdo takim që mund të ketë pasur është jashtë këtyre hetimeve. Aludime të tilla janë jo vetëm të rrezikshme, por cenojnë rëndë personalitetin dhe dinjitetin e një personi.

Çdo bisedë duhet të lidhet me kontekstin e saj. SPAK është bërë pjesë e luftës politike në vendin tonë.

Zoti Agasi do të kthehet, absolutisht. Ai e konsideron veten të pafajshëm dhe do t’i vërë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës.

Nga ka rrjedhur dosja? A ka nevojë për shumë mendim? Nga SPAK-u.

Kushtetuta këtu është dokumenti më pa vlerë”, u shpreh ai.