Shuhet ëndrra e Sali Berishës?

Akti i ri i Mbrojtjes Kombëtare i nënshkruar nga Presidenti Trump zyrtarizon qëndrimin e SHBA kundër korrupsionit në Ballkan, duke e bërë të pamundur heqjen e sanksioneve ndaj individëve të shpallur “non grata”…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, firmosi pak ditw mw parw Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, një dokument strategjik me vlerë rreth 1 trilion dollarë, që jo vetëm përcakton prioritetet ushtarake dhe gjeopolitike të Uashingtonit, por vendos edhe një kornizë të hekurt për qëndrimin e SHBA ndaj korrupsionit dhe destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Pjesë kyçe e këtij akti janë rikonfirmimi dhe forcimi i sanksioneve të vendosura ndaj individëve të shpallur “non grata”, duke përfshirë edhe shqiptarët që ndodhen në këtë listë, si Sali Berisha.

Sipas dokumentit, çdo person që është sanksionuar sipas Urdhrave Ekzekutivë 13219 dhe 14033 (dy urdhra të Joe Biden) do të mbetet në atë status, me përjashtime tepër të kufizuara. Në mënyrë eksplicite, Akti përcakton se sanksionet mbeten në fuqi dhe nuk mund të ndërpriten apo modifikohen, përveçse nëse Presidenti i SHBA-së provon para Kongresit se personi i sanksionuar ka ndalur tërësisht aktivitetin që çoi në ndëshkim, ka ndërmarrë hapa të verifikueshëm për t’u distancuar prej tij, dhe se ekziston garanci e besueshme që nuk do të angazhohet më në veprime të ngjashme në të ardhmen. Ky kriter e bën pothuajse të pamundur që individë si Sali Berisha të çlirohen nga ndëshkimi, duke pasur parasysh refuzimin e tyre publik për të pranuar akuzat dhe për të bashkëpunuar me institucionet amerikane.

Lobimet e forta politike në Uashington për të kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Berishës, të cilat janë zhvilluar në heshtje nga grupe dhe individë të lidhur me të, tashmë bien ndesh me ligjin federal. Akti i ri e bën të qartë se çdo përpjekje për të ndikuar në heqjen e sanksioneve pa verifikim të plotë, do të konsiderohet e pavlefshme. Gjithashtu, për çdo heqje dorë të përkohshme nga një sanksion, Presidenti duhet të japë njoftim zyrtar dhe arsyetim të detajuar në Kongres, të paktën 15 ditë përpara aplikimit, dhe për një periudhë që nuk i kalon 180 ditë.

Përtej sanksioneve, akti i ri përmban edhe një Iniciativë të zgjeruar kundër korrupsionit në Ballkan, e cila fokusohet në ndihmë teknike, trajnime për sistemin gjyqësor dhe organet e zbatimit të ligjit, si dhe në forcimin e institucioneve të mbikëqyrjes dhe transparencës. Në mënyrë të veçantë, SHBA kërkon të godasë korrupsionin politik në gjykata, në prokurime publike dhe në proceset zgjedhore. Plani përfshin përfshirjen e vendeve të Ballkanit në Iniciativën Evropiane të Rezistencës Demokratike, një platformë që parashikon fonde dhe asistencë për luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e mediave të pavarura.

Në mënyrë simbolike, ky akt i fuqishëm politik dhe ligjor konfirmon qëndrimin e prerë të SHBA ndaj figurave që konsiderohen të dëmshme për stabilitetin rajonal. Rasti i Sali Berishës mbetet emblemë e këtij pozicioni. Me këtë ligj, çdo tentativë për të “larë” emrin e tij përmes manovrave politike, qoftë në Shqipëri apo në Uashington, bie poshtë. SHBA e konsideron Ballkanin një zonë kritike për influencën demokratike dhe ka vendosur të mos tolerojë më kompromis me korrupsionin e lartë, qoftë edhe me çmimin e tensioneve diplomatike.

Në përfundim, Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026 është një mesazh i qartë për liderët e korruptuar në rajon: SHBA nuk tërhiqet, nuk harron dhe nuk fal pa prova konkrete. Për Sali Berishën dhe të tjerë si ai, dritarja e shpresës për heqjen e sanksioneve jo vetëm që është mbyllur, por është blinduar me ligj. /Pamfleti