POGRADEC – “Iliria News” ka siguruar foton ekskluzive të Rushan Selkos, personit të akuzuar për një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur së fundmi opinionin publik në zonën e Pogradecit dhe mbarë vendin. Selko akuzohet për përdhunimin e një vajze të mitur, vetëm 12 vjeçe, në fshatin Piskupat, një krim që ka ndodhur nën hundën e familjarëve dhe duke shfrytëzuar besimin e verbër të tyre.
Maska e fqinjit të mirë Detajet që dalin në dritë e bëjnë ngjarjen edhe më makabre. Sipas dëshmive të siguruara jashtë kamerave nga familjarët e të miturës, autori nuk ishte një i panjohur apo një rrezik i jashtëm, por njeriu me të cilin ndanin përditshmërinë. Shtëpitë e viktimës dhe të autorit të dyshuar ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën, duke krijuar një afërsi fizike që u përkthye në një miqësi të ngushtë mes dy familjeve.
Marrëdhëniet mes tyre përshkruhen si tejet korrekte dhe miqësore, aq sa hyrje-daljet ishin të zakonshme. Familjarët e vajzës, të tronditur thellë, shprehen se nuk kishin asnjë dyshim te Selko. Për ta, ai ishte fqinji i besuar, “njëri prej tyre”.
“E lejonim të shkonte në dyqan për t’i ndihmuar” Pikërisht ky besim i tepruar duket se është përdorur si kurth nga autori. Të afërmit tregojnë me lot në sy se shpeshherë e lejonin vajzën e tyre të vogël t’i shërbente familjes së autorit, duke shkuar në dyqan apo duke i ndihmuar për nevoja të vogla shtëpiake, duke qenë se i konsideronin si pjesë të familjes. Askush nuk e kishte menduar se pas kësaj afërsie fshihej një mendje kriminale që do të shkatërronte fëmijërinë e vajzës së tyre.
Drama e familjes: “Ndihemi të turpëruar” Përveç dhimbjes për abuzimin e vajzës, familja po përballet edhe me një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike. Në një komunitet të vogël si Piskupati, pesha e ngjarjes është dyfishuar nga stigma sociale. Prindërit dhe të afërmit shprehen se ndihen “të turpëruar” nga ajo që ka ndodhur, një ndjesi e rëndë që shpesh viktimizon padrejtësisht të dëmtuarit në shoqërinë tonë, ndonëse fajtori i vetëm është autori i krimit.
Ata kërkojnë me ngulm që drejtësia të veprojë me dorë të hekurt dhe autori të marrë dënimin maksimal për dëmin e pariparueshëm që i ka shkaktuar të miturës dhe gjithë familjes që i hapi derën.




