Ku do fshihen ”të fortët” e shtetit?

Dy projektligje të Kongresit Amerikan, H.R.5274 dhe S.1909, e përfshijnë vendin tonë në listën e vendeve ku politikat publike i komandon financimi kriminal dhe i dyshimtë e ku qeveria nuk garanton dot sigurinë e vet. Shqipërinë nuk e udhëheqin qytetarët dhe vota. Shqipërinë e udhëheqin paratë e krimit dhe oligarkëve që kontrollojnë tendera, porte, energji, licenca bregdeti dhe teknologjinë e shtetit. Çdo projekt me miliona euro në këtë vend kalon nga pazari i tyre dhe Edi Rama është garant i kësaj skeme. Pa ta, ai nuk rri dot asnjë ditë në pushtet.

Raporti i ri i SHBA po e trajton Shqipërinë si një shtet të kapur nga kapitali kriminal dhe korruptiv që blen qeverisje. Uashingtoni kërkon verifikim urgjent të pasurisë së atyre që marrin qindra miliona euro nga buxheti, ndërsa në letra deklarojnë kapitale qesharake. Këto kompani nuk japin llogari për burimin e parave që po ndërtojnë kulla, parqe energjie dhe porte. Ky është rrezik sigurie për vendin dhe për NATO, sepse nuk dihet kush është pronari real dhe kush i tërheq fijet.

Hetimi i kërkuar nga SHBA përqendrohet edhe te grabitja e pronave të ushtrisë nga privatët. Zona strategjike dhe baza të tjera të mbrojtjes kanë kaluar nën kontroll të biznesmenëve të lidhur me Edi Ramën. Ministria e Mbrojtjes ka firmosur marrëveshje që e zëvendësojnë interesin kombëtar me interesin privat. Uashingtoni kërkon prova se kjo pasuri nuk po përfundon në duart e kapitalit që punon kundër sigurisë së NATO dhe për këtë arsye ka firmosur një audit të thelluar për institucionet shqiptare.

SPAK ka marrë urdhër të qartë nga SHBA: të mos merret me ushtarët e vegjël të korrupsionit. Të merret me krimin e organizuar dhe oligarkët që e vendosin se kush merr pushtet, kush humbet dhe kush mbijeton politikisht. Nuk do ketë më “qokaxhinj të pandëshkuar”. Nuk do ketë më “falje për sponsorët”. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara do të godasin edhe bizneset që financojnë kryeministrin.

Rama ka ndërtuar një shtet ku siguria kombëtare është në duart e krimit të organizuar. Drejtoresha e SHISH është aksesor në tavolinat e nëndheshme. Ndërtimi, portet, energjia, teknologjia, të gjitha këto janë sektorë që duhej të mbronin shtetin dhe SHBA nuk do ta tolerojë më këtë turp të një vendi aleat.

”Middle man”-i që shpërndan tendera, dorëzon përqindje dhe krijon kompani kukulla ka hyrë në radar të SHBA si hallka më e rrezikshme e këtij sistemi. Zyrtarët amerikanë kanë vendosur të zbulojnë se kush lëviz paratë në prapaskenë dhe kush i jep pushtetit oksigjen financiar. Procesi nuk synon vetëm politikanët që nënshkruajnë, por çdo person që ka komisionuar favore, ka shantazhuar ose blerë vendimmarrje dhe ka kontrolluar ministritë përmes parasë dhe presionit.

Goditja e tyre do të thotë këputje e zinxhirit që mban në këmbë kapjen e shtetit. Të njëjtët middle man-a që deri dje qeshnin me drejtësinë vendase, tani po përgatitin valixhet sepse e dinë që Uashingtoni nuk negociuon me ata që paguajnë politikën me para të pista.

Mesazhi i Uashingtonit është brutal. Oligarkët dhe që mbajnë Ramën do të dalin në listat e sanksioneve. Do t’u bllokohen llogaritë bankare. Do t’u ndalohet qytetaria financiare. Do t’u hiqet e drejta të prekin para publike. Dhe Edi Rama do të llogarisë vetë se sa mund ta mbrojë pushteti kur mbrojtësit e tij futen në karantinë financiare.

Tani fillon rrëzimi i ‘të fortëve’ të rremë që kanë blerë Shqipërinë me tendera dhe leje ndërtimi. Dhe fundi politik i kujtdo që i ka mbrojtur… /Pamfleti