Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, u shpall fitues i sezonit të katërt të “Big Brother VIP Albania”, pas një rrugëtimi të gjatë, sfidues dhe shpesh të dhimbshëm.
Pavarësisht ofendimeve, presionit psikologjik dhe një episodi dhune fizike, ai arriti ta fitonte zemrën e publikut dhe çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.
Gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Gjesti krijoi një lidhje të afërt dhe shumë të komentuar me Eglin, duke u kthyer në një nga çiftet më të pëlqyera të edicionit.
Por pak ditë para finales, ai befasoi me një deklaratë të fortë: “E kam jetën të tmerrshme jashtë. Një femër si ti nuk mund të më durojë as dy minuta… Sapo të dal, bllok e ke.”
Kjo deklaratë ngriti shumë pikëpyetje dhe për disa, u duk si fundi i një lidhjeje që nisi me shumë emocione.
Por… a e mbajti fjalën Gjesti?
Pas përfundimit të spektaklit, fansat kanë vëzhguar me vëmendje çdo lëvizje të çiftit në rrjete sociale — dhe rezultati është surprizues!
Jo vetëm që Gjesti nuk e ka bllokuar Eglin, por dyshja duket më e afërt se kurrë. Ata janë parë shpesh bashkë, madje kanë publikuar foto pranë njëri-tjetrit, duke treguar se raporti mes tyre jo vetëm që nuk është ftohur, por ndoshta po bëhet më i fortë jashtë shtëpisë.
Ndjekësit tani pyesin: A kemi të bëjmë me një histori dashurie që do të vazhdojë edhe jashtë kamerave?