Vru fqinjin me çekiç dhe i vdhi paratë për të larë borxhin, Isuf Hasa merr lajmin e zi! Ja çfarë u vendos për fatin e tij

Isuf Hasa, banor i fshatit Qafë-Mollë të Tiranës, është dënuar me 25 vite burg nga togat e zeza [ër vdekjen e Xhemal Metës. Gati një vit nga krimi që tronditi kryeqytetin për nga dinamika dhe makabriteti i kryerjes së tij, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin me burgim.

Isuf Hasa është shpallur fajtor për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen”, pas rikualifikimit të akuzës, sepse në Janar 2025 kur u arrestua për krimin ai rrëfeu se e kishte bërë nga mllefi.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës mbi vrasjen e të moshuarit zbuloi se vrasja ka pasur si motiv vjedhjen e parave të Xhemal Metës për të paguar një mikrokredi, ndaj akuza nuk ishte më “Vrasje me dashje” por “Vjedhje me pasojë vdekjen”.

Mëngjesin e 13 Janarit 2025, autori ishte nisur për të shkuar tek vajzat e tij që jetonin në Tiranë dhe Vorë. Isuf Hasa ka ndalur për kafen e mëngjesit te banesa e fqinit 81-vjeçar dhe në oborr ka gjetur një çekiç, të cilin e ka fshehur nën xhup.

Pasi konsumuan kafe për 15 minuta, ai e ka qëlluar Xhemal Metën me çekiç teksa fqinji e përcillte deri te porta, duke e lënë të vdekur në vend.

Isuf Hasa e ka lënë trupin në vend dhe ka marrë portofolin e fqinjit, duke i grabitur paratë. Ajo që e bën edhe më makabre ngjarjen, është reagimi i autori. Ai ka shkuar tek kafja e fshatit, ka pirë një kafe dhe një dopio raki, dhe ka marrë furgonin për rrugë.

Sipas hetimit, në të njëjtën ditë 64-vjeçari ju ka lënë vajzave shuma parash, 68 mijë lekë tek njëra dhe gati 120 mijë lekë te tjetra, duke i porositur edhe për pagesat e kësteve të një mikrokredie. Çekiçi i përdorur për krimin u gjet nga policia i fshehur pranë banesës së një prej vajzave.

Gjatë hetimit, Hasa pretendoi se kishte një mllef të akumuluar ndaj 81-vjeçari, pasi në vijimësi i kishte thënë se nuk ishte burrë, pasi ikte nga shtëpia për 4 ditë dhe nuk dinte ç’ bënte gruaja e tij.