Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, është shprehur se në Shqipëri do të ketë ndërhyrje ndërkombëtare për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti.
Komentet Alimehmeti i bëri në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se ndërkombëtarët nuk mund të lejojnë që në një vend të NATO-s të jenë në dorë të kriminelëve (duke iu referuar këtu dosjes së AKSHI-t).
Alimehmeti tha gjithashtu se kryeministri Edi Rama në dukje është perëndimor, por në të vërtetë është pro-lindjes, pasi sipas tij, është ortak i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Aksi në letra joni është perëndimor, por në udhëheqje është lindor. Edi Rama nuk është pro-perëndimit, por është pro-Vuçiçit. Ballkanin e Hapur ai e bëri. E ka ktej aksin ai, jo andej. 1.5 milionë vetë jemi në total. Serbia nuk është vend anëtar i NATO-s, Shqipëria është. Dhe NATO-s nuk i intereson një hallkë e dobët zinxhiri.
I interesojnë të gjitha hallkat e zinxhirit të forta. Sepse e kemi parë shumë mirë vitin e kaluar se ku është orientimi gjeopolitik. Dhe ju patë shumë mirë sesi me AKSHI-n u bë -n u bë çështje e sigurisë kombëtare. Këtu çdo gjë e jona qenka në duart e pak kriminelëve.
Ky është vend i NATO-s dhe ju do shihni se këtu do ketë ndërhyrje, sepse nuk mund të lejohet dot kjo. Nuk ka asnjë autokraci në Europën Lindore që të jetë thyer vetëm me votë të lirë. Kështu ka ndodhur në të gjithë kontinentin tonë”, tha mes të tjerash Alimehmeti. (A2 Televizion)




