Si po përgatitet izolimi i prokurorisë speciale dhe rimarrja e kontrollit politik mbi sistemin…
Edi Rama deklaroi në podkastin e së dielës se ka biseduar me ministrin e Drejtësisë së Francës, duke thënë se do të ruajë pavarësinë e drejtësisë, por do të ndihmojë që ajo të mos jetë e njëanshme.
Një sinjal i koduar për të thënë se mazhoranca do të realizojë ose do të pengojë lirinë e fortë të prokurorisë speciale. Siç mësohet, mazhoranca ka braktisur planin fillestar për të zvogëluar kompetencat dhe pushtetin e SPAK-ut, ndërkohë që do të rrisë fuqinë e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).
Plani është i thjeshtë: pritet të hartohet një ligj që i rrit fuqinë GJKKO-së, duke shtuar një dispozitë kalimtare që rinovon totalisht përbërjen e gjykatave kundër Krimit dhe Korrupsionit, si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel.
Nga ana tjetër, pritet të ndryshohet fuqia e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili do të ketë të drejtë të hetojë nëse ndonjë institucion tjetër, për shembull SPAK-u, ka përgjuar apo ka prekur të drejtat e Gjykatës.
Ndërkaq, mësohet se GJKKO-ja do të nxitet të ndryshojë dhe rinovojë përbërjen e Gjykatës kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Një tjetër zhvillim i ri do të jetë Kodi Penal, i cili përveç një morie ndryshimesh, do të ketë dy zhvillime të rëndësishme. “Shpërdorimi i detyrës” nuk do të quhet më vepër penale, ndërsa çdo akt që ndjek një audit ose Kontrollin e Lartë të Shtetit nuk do të konsiderohet vepër penale.
Kjo do të thotë se SPAK-u nuk mund të ndjekë më zyrtarët e lartë për veprat që ka ndjekur deri më sot. Nëse ndodh kjo, atëherë SPAK-u do të ketë vetëm tre nene të Kodit Penal dhe procedurën si shtrat të aktivitetit të vet.
Ky akt synon dy objektiva: bllokimin e fushës së veprimit të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ndarjen me thikë dhe krijimin e një institucioni krejt të ndarë nga drejtësia speciale, siç është GJKKO-ja.
Me fjalë të tjera, reforma e re synon ta lërë SPAK-un si një ishull, pa pasur asnjë aleat real në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm pritet të marrë kompetenca të fuqishme kontrolli ndaj të gjithë prokurorëve të rretheve.
Kjo do të sillte realisht rikthimin e fuqisë së tipit Adriatik Llalla në të gjithë prokuroritë, përjashto SPAK-un. Ndërkohë, në Prokurorinë e Apelit, Prokuroria e Përgjithshme do të ketë sërish kontroll të fortë, duke ndikuar nëpërmjet kërkesave që vijnë nga palët.
Me një fjalë, në reformën e re, Rama synon të ketë një GJKKO jashtë sferës amerikane, përmes ndryshimit të përbërjes së saj, si dhe izolimin total të SPAK-ut./Pamfleti




