Nuk ka më Lotari Amerikane, Shqipëria mes 75 shteve që u pezullohen vizat e emigrimit
Lajmi i ditës padyshim sot ishte vendimi i SHBA për të pezulluar vizat me 75 shtete, ku mes tyre është dhe Shqipëria. Ajo që bie në sy është se vendi ynë, krahas Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, renditet me shumë vende nga bota e tretë.
Por pse SHBA vendosi të ndërmarrë një veprim të tillë dhe kush do të penalizohet?
Vendimi i publikuar nga ‘Fox News”, është i lidhur me një memorandum të nëntorit, ku Trump urdhëron ndalimin global të vizave sipas rregullit të ‘barrës publike’ (public charge). Që do të thotë se zyrtarët konsullorë udhëzoheshin t’u refuzonin vizat aplikantëve që mendohej se kishin të ngjarë të mbështeteshin në përfitime publike nga shteti amerikan. Duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh, duke përfshirë shëndetin, moshën, aftësinë e anglishtes, financat dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.
Pra për ta thjeshtuar, nëse dikush që në Shqipëri ka jetuar kryesisht me ndihmë ekonomike, konsullata e refuzon vizën pasi mendon se ai do të bëjë të njëjtën gjë edhe atje dhe është barrë për shtetin amerikan. Po ashtu të moshuarit shihen më shumë si barrë sesa ndihmë për krah pune. E njëjta gjë për individët e sëmurë, pasi shteti amerikan mendon se ata do të përfitojnë për të shfrytëzuar sistemin shëndetësor. Ata që nuk njohin gjuhën shihen po ashtu si barrë, pasi do të duhet disa kohë sa të aftësohen për punë.
Pak ditë më parë, Donald Trump publikoi në rrjetin social Truth Social disa tabela me titull “Immigrant Welfare Recipient Rates by Country of Origin”, ku paraqitej përqindja e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA.

Thuajse të njëjtat shtete janë edhe në listën e shteteve që u bllokohen vizat. Aty është dhe Shqipëria, pasi 41.3 për qind e familjeve emigrante shqiptare në SHBA përfitojnë asistencë sociale. Pra ky është dhe shkaku kryesor i vendimit të DASH, pasi kërkon të ulë barrën financiare të mbajtjes së emigrantëve. Padyshim ka dhe faktorë të tjerë, përfshirë sigurinë.
Një zëdhënës i DASH ka folur për “Reuters”, duke sqaruar kufizimet. Sipas tij, nuk preken vizat turistike.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij të kahershëm për të shpallur të papranueshëm çdo emigrant të mundshëm që mund të bëhet barrë për shtetin amerikan dhe të përfitojë nga bujaria e popullit amerikan”, tha Tommy Pigott, Zëdhënës i Ngarkuar me Punë në Departamentin e Shtetit.
“Përpunimi i vizave për emigrantë nga këto 75 vende do të pezullohet ndërkohë që Departamenti i Shtetit do të rishikojë procedurat për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që synojnë të përfitojnë ndihma sociale dhe përfitime publike në SHBA”, shtoi ai.
Pra me vendimin e ri që nis zbatimin më 21 Janar, nuk ka më viza emigracioni, bashkim familjar apo green card, birësime, si dhe lotari amerikane për shqiptarët. Ndërkohë sa u takon vizave turistike apo studentore, deri tani nuk flitet për kufizim, por edhe për to do të ketë kushte më të rrepta. /Pamfleti

Comments are closed.