Këngëtari i njohur ndërkombëtarisht, por me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka rrëfyer një histori emocionuese nga jeta e tij. Në një intervistë për “Vanity Fair”, teksa ka folur për jetën artistike këngëtari ka treguar momentet kur është bërë baba.
Ai është shprehur se ka birësuar dy vajza në jetimore në Shqipëri, por thekson frikën e tij më të madhe, pasi sipas tij mendonte se do të ishte si i ati i vetë.
“Për vite me radhë kam menduar se nuk doja fëmijë, sepse kisha frikë se mos bëhesha si im atë. Nuk doja të riprodhoja atë model”, u shpreh këngëtari.
Gjithashtu, Meta tregon se së bashku me partneren e tij, Chiara, kanë njohur 2 vajza dhe së shpejti ato do t’i bashkohen familjes së tyre në Itali, duke shprehur se i ka njohur ato në moshën 15-vjeçare.
“Unë dhe Chiara, partnerja ime, për pak kohë do të kemi me vete dy vajzat tona të tjera, që deri tani kanë qenë në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por për shkak se nuk jemi të martuar, nuk mund t’i adoptonim. Në qershor mbushin 18 vjeç dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, po ju them, ato janë vajzat tona prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë më parë për këtë.
Një verë, vajzat u larguan për të qëndruar me familje të tjera për disa javë. Kur ikën, unë dhe Chiara mbetëm në një heshtje totale. Bënin një zhurmë të madhe kur ishin aty, dhe papritur gjithçka u bë e heshtur. Fillova të qaj si fëmijë, nuk ndalesha dot. U mbylla në banjë sepse ndieja dhimbje. Njëra nga dy vajzat, ajo më e mbyllura, nuk pranonte kontakt fare. Me Chiaran ishte pak më mirë, me mua – hiç. E kuptova menjëherë çfarë traume kishte. Kur u ndamë, ajo doli nga shtëpia… dhe pastaj u kthye. E pyes: ‘Ke harruar diçka?’. ‘Jo’, tha. ‘Atëherë pse u ktheve?’. Dhe në atë moment, pa thënë asgjë, më vendosi kokën këtu. Aty unë u bëra babai i saj”, ka treguar ai.
Ndërkohë, artisti me origjinë shqiptare ka rrëfyer se për shkak se ai dhe Chiara nuk janë të martuar ligjërisht, nuk mundet që të adoptohen vajzat kur janë nën 18 vjeç. Gjithashtu, ai tregon dhe momentin kur partnerja e tij ishte shtatëzënë me vajzën e tij biologjike, fëmijët e birësuar e kishin pritur shumë mirë.
“Kemi ndjekur këshillat e murgeshës që kujdesej për to. Vajzat kanë mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri, dhe tani që bëhen madhore, do të mund të jetojnë me ne. Kur u thamë vajzave që Chiara ishte shtatzënë, u panë me njëra-tjetrën… Unë i sigurova menjëherë: “Nuk ndryshon asgjë. Do keni një motër më shumë.
Ato përpiqeshin të tregonin gëzim, por e kuptoj… në jetimore, kur vijnë çifte, vajzat më të mëdha rrinë gjithmonë në një cep, sepse e dinë që askush nuk i zgjedh. Ma kishin thënë vetë: “Të mëdhatë nuk i do askush’” Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: “Po unë ju dua”, ka rrëfyer mes emocionesh Ermal Meta.