Skip to content

Misteri i Bordit të Paqes: Si do të funksionojë dhe a do të kthehet Shqipëria në kamp refugjatësh palestineze?

Shumë liderë botërorë kanë marrë ftesë nga Trump për Bordin e Paqes, mes tyre edhe Rama, por cili është çmimi që do të paguajnë shqiptarët…

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është mes udhëheqësve botërorë që kanë marrë ftesë për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes”, një strukturë e re e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump, me synimin për të zbatuar një plan ambicioz pasluftës në Rripin e Gazës.

Por Rama nuk është i vetmi: Kanadaja, Egjipti, Argjentina dhe Turqia kanë konfirmuar se kanë marrë gjithashtu ftesa. Deri tani, nuk është e qartë nëse janë ftuar të gjitha vendet anëtare të OKB-së apo vetëm një rreth i ngushtë, të përzgjedhur nga administrata Trump.

Fakti që mes liderëve botërorë është dhe Edi Rama ngre dyshime se fshihet diçka më e madhe. Kur Trump ideoi shpopullimin e Gazës, Shqipëria ishte mes vendeve të përfolura se mund të strehojë palestinezët e dëbuar.

Ndërkohë në fund të dhjetorit u publikua Plani Kombëtar i Kontigjencës për flukset e përziera migratore për vitet 2026-2028, i cili parashikon ngritjen e qendrave të emigrantëve në qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtetër. Qendrat do të ndërtohen në godina ekzistuese publike, si konvikte, shkolla, pallate sporti por edhe në struktura të përkohshme emergjence, të aktivizuara në rast fluksesh të larta.

Me pak fjalë, Shqipëria planifikon të ndërtojë 20 qendra pritëse për emigrantët ilegalë nga vende si Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani apo Gaza. Mos vallë ky është çmimi i ftesës së Ramës?

Në një postim në platformën Truth Social, Trump e quajti këtë strukturë: “Bordi më i madh dhe më prestigjioz që është mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë e në çdo vend”.

Por në thelb, Bordi i Paqes është një strukturë ende e paqartë, me misione të papërcaktuara dhe pa një përfaqësim të plotë ndërkombëtar, që ka ngritur dyshime në qarqet diplomatike mbi synimin e vërtetë të kësaj nisme. Kritikët spekulojnë se kjo mund të jetë një përpjekje për të krijuar një version alternativ të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nën dominimin e drejtpërdrejtë të SHBA dhe vetë Trumpit.

Ftesat po dërgohen në mënyrë të veçuar dhe ende nuk ka një listë të plotë me emrat e vendeve pjesëmarrëse. Ndërkohë, disa prej kombeve kyçe në rajon, përfshirë Egjiptin dhe Turqinë, që kishin role kyçe si ndërmjetës në luftën Izrael-Hamas, janë ende në mëdyshje për t’iu bashkuar.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Kjo strukturë është pjesë e Planit Gjithëpërfshirës të Trump për paqen në Gaza, tashmë i miratuar edhe nga Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në bazë të këtij plani, Bordi do të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, do të organizojë rindërtimin e Gazës dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se bordi do të ketë dy komitete ekzekutive, të përbëra kryesisht nga ndihmës të ngushtë të Trump, ish-liderë botërorë dhe biznesmenë si: Tony Blair, Jared Kushner, Ajay Banga, Marc Rowan, Marco Rubio, Steve Witkoff dhe Robert Gabriel.

Një tjetër bord i posaçëm për Gazën, i quajtur Gaza Executive Board, do të fokusohet në rindërtimin dhe ofrimin e shërbimeve bazë në enklavë, por asnjë përfaqësues palestinez nuk është përfshirë në strukturën drejtuese. Ai përbëhet nga: Steve Witkoff, Jared Kushner, Minister Hakan Fidan Ali Al-Thawadi, General Hassan Rashad, Sir Tony Blair, Marc Rowan, Minister Reem Al-Hashimy, Nickolay Mladenov, Yakir Gabay dhe Sigrid Kaag.

Vetëm një komitet i tretë, teknik, është krijuar për t’u marrë me shërbimet publike në Gaza, i udhëhequr nga Dr. Ali Sha’ath, një teknokrat me përvojë në administratë. Ai pritet të rindërtojë institucionet civile të shkatërruara pas dy viteve të sulmeve izraelite.

Një OKB alternative apo një strukturë e re gjeopolitike me qendër SHBA-në?

Nëse kjo nismë është një përpjekje për paqe apo një instrument për dominim politik mbetet e paqartë. Shumë ekspertë e shohin si një lëvizje për të zhvendosur qendrën e vendimmarrjes ndërkombëtare nga OKB-ja drejt një strukture “ad hoc” të drejtuar nga Trump, me ndikim të drejtpërdrejtë amerikan.

Mungesa e përfaqësimit palestinez, përfshirja e figurave të afërta me Trumpin dhe mungesa e transparencës rreth kritereve të përzgjedhjes së vendeve anëtare, kanë ngjallur kritika të shumta.

Për momentin, nuk është konfirmuar ende nëse kryeministri shqiptar Edi Rama ka pranuar ftesën. Megjithatë, përfshirja e Shqipërisë në këtë nismë do të ishte e ndjeshme diplomatikisht, sidomos duke pasur parasysh pozicionin e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe marrëdhëniet tradicionale me botën arabe.

Bordi i Paqes mund të jetë një përpjekje e sinqertë për rindërtimin e Gazës, por mbetet i rrethuar nga mjegulla e mos-transparencës, mungesës së përfaqësimit real dhe ambicieve gjeopolitike të Trumpit. Nëse do të jetë një projekt funksional për paqen, apo një mjet propagandistik për ringritjen politike të presidentit amerikan, kjo pritet të shihet në javët dhe muajt në vijim. /Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.