Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i ndërmarrë dy ditë më parë nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane, me qëllim “zbërthimin” dhe goditjen e një prej grupeve kriminale të cilat mashtronin shtetasit europianë dhe u merrnin atyre shuma të ndryshme monetare. Lidhur me këto operacion, ranë në pranga Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, aktiviteti kriminal nuk ishte i përqendruar vetëm në kullën luksoze “Atti Tower”, përballë Katedrales Ortodokse, por shtrihej edhe në një godinë tjetër prestigjioze të kryeqytetit, “Downtown One”, ku po ngrihej një qendër e “Call-Cetneri”.
Saakq burime për mediat bëjnë me dije se hetimet kanë nxjerrë në pah se skema mashtruese drejtohej nga tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohen si organizatorët kryesorë dhe aktualisht janë në kërkim.
SPAK sqaroi më herët se hetimet nisën pas dorëzimit të materialeve filmike nga emisioni investigativ italian “Le Iene”, ku një gazetar i infiltruar si punonjës kishte dokumentuar nga brenda funksionimin e call center-it.
Pamjet treguan një strukturë të mirëorganizuar, të shtrirë në dy kate të “Atti Tower”, me role të përcaktuara dhe staf që komunikonte në disa gjuhë të huaja për të joshur viktimat në Itali dhe vende të tjera evropiane.
Operacioni i së premtes në kullën e famshme në Tiranë, SPAK me njoftim zyrtar: Si organizatorët kishin boshatisur zyrën gjatë natës, një Ferrari në “duart” e Prokurorisë
Sapo autoritetet nisën veprimet hetimore, grupi kriminal dyshohet se u vu në dijeni përmes një sistemi të sofistikuar sigurie dhe vëzhgimi. Mbrëmjen e 15 janarit, pas përfundimit të punës, pronarët u paralajmëruan për një ndërhyrje të mundshme, çka çoi në boshatisjen e zyrave dhe largimin e pajisjeve gjatë orëve të para të 16 janarit.
Hetuesit e BKH-së gjetën ambientet e “Atti Tower” të zbrazura, por falë gjurmimit të mjeteve që transportuan pajisjet, arritën të kapin në flagrancë disa persona që po i zhvendosnin ato drejt “Downtown One”.
Në katin e pestë të kësaj kulle u zbulua një tjetër call center në ndërtim e sipër, ku u sekuestruan kompjuterë, telefona, hard disqe, karta SIM, dokumente dhe materiale të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal.
*Pamje nga operacioni policor i së premtes mbrëma
Pas ndërhyrjes së Policisë së Tiranës, u finalizua arrestimi i gjashtë personave, ndërsa dy të tjerë u ndaluan si të dyshuar për mashtrim kompjuterik. Një ditë më pas, SPAK lëshoi urdhër-ndalimet edhe për tre vëllezërit Prekaj, të cilët dyshohet se drejtonin të gjithë skemën.
Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar 28 ambiente të ndryshme dhe janë sekuestruar qindra pajisje elektronike, serverë, sisteme monitorimi, automjete dhe një mjet luksoz tip Ferrari.

Comments are closed.