Skip to content

Spiropali do bëhet Kryeministre teknike?? Edi Rama bëhet gati për linçimin e madh ndaj Ministres: Nuk e përballon dot të

Në korridoret e Partisë Socialiste, politikës dhe diplomacisë po qarkullon gjithnjë e më fort një skenar që trondit themelet e pushtetit të Edi Ramës. Kryeministri duket se ka nisur një fushatë të hapur linçimi politik ndaj ministres Elisa Spiropalit, duke e futur Ministren e Jashtme në atë që brenda PS quhet “lista e zezë”. Burime nga brenda grupit parlamentar pohojnë se znj. Spiropali përflitet hapur si një figurë potenciale për kryeministre tranzitore, në rast se Rama largohet me detyrim apo “me dëshirë”, për shkak se qeverisë së tij i kanë plasur shumë skandale. Këto biseda nuk zhvillohen më në fshehtësi, por në kafe, mes deputetëve socialistë, pa asnjë drojë.

Pikërisht kjo duket se ka alarmuar Ramën, i cili në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka sulmuar ashpër Spiropalin në mungesë të saj, duke e etiketuar si dështim. Mesazhi ishte i qartë: nuk ka dhe nuk do të ketë qeveri pa Edi Ramën. Kryeministri, sipas burimeve, po godet preventivisht çdo figurë që perceptohet si kërcënim për fronin e tij. Më herët, rivalë të tillë si Tahiri dhe Veliaj përfunduan jashtë loje, ndërsa zv/kryeministrja, njëherësh ministrja e Transporteve dhe Energjisë, Belinda Balluku shihet si objektivi i radhës në rast se i kërcënon pozitat, megjithëse ky skenar edhe s’mund të ndodhë, duke qenë se ajo është një hap larg burgut, pasi po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Mirëpo përballë kësaj situate, ministrja Elisa Spiropali, e njohur edhe si armike e betuar e zv/kryeministres Balluku, shihet nga shumë socialistë si një alternativë e pranueshme për stabilitetin e partisë. Zërat shtohen se Rama mund të detyrohet të largohet për shkak të aferave korruptive dhe skandaleve kriminale që kanë mbërthyer qeverinë në nivelet më të larta (ministra dhe drejtorë të rëndësishëm nën hetim nga SPAK). Por i joshur pas pushtetit, Rama po shfaq gjithnjë e më shumë tipare autoritare.

Ai jo vetëm që mbron vartësit e tij nën hetim nga SPAK, por tashmë ka kaluar në sulm frontal ndaj rivalëve të brendshëm. Siç thoshte dikur Miladin Popoviç (partizani jugosllav, sekretari politik i komitetit Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën dhe organizatori i Partisë Komuniste të Shqipërisë), “partia forcohet duke u pastruar”, por në PS duket se pastrimi po kthehet në spastrim politik. Sulmi ndaj Spiropalit shihet si sinjal paralajmërues për këdo që guxon të mendojë për një Parti Socialiste dhe qeveri pa Ramën. Lufta për pushtet ka nisur dhe po zhvillohet brenda mureve të selisë rozë. Dhe në këtë betejë, duket se askush nuk është më i sigurt. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Çfarë tha Rama për Spiropalin?

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama ishte shumë kritik pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të mbajtur këtë të premte. Në një fjalim të gjatë që ai mbajti, theksoi se përveç Televizionit Publik Shqiptar një tjetër dështim i madh i qeverisë është Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Elisa Spiropali. Sipas tij, duket sikur në këtë dikaster punojnë vetëm 3 veta: ministrja, sekretarja dhe roja. “Sa i përket ligjit për diplomacinë publike. Ministria e Jashtme është si Televizioni Publik Shqiptar.

Është një tjetër dështim i madh i yni. E kam thënë dhe po e them. Nuk është një institucion në funksion të këtyre sfidave sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që e bëmë nuk ishte ligj apo reformë, ishte tualet. Makijazh! Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, për të futur ajrin e pastër. Shqipëria ka sot njerëz plot jashtë në diasporë. Diaspora është pjesë e elektoratit të rëndësishme. Gradat janë marrë peng nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit, as televizion nuk është se ata as nuk dalin.

Sa herë shkoj në atë ministri, më duket sikur atje është vetëm ministri, sekretarja dhe roja”, theksoi Rama, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të mbahen kontaktet me diasporën. “Vijmë tek diaspora. Është shumë e rëndësishme që në aspektin e diplomacisë, sa i përket parlamentit edhe grupet e miqësisë të angazhohen siç do angazhohet kryetari i Kuvendit dhe të gjithë ata që shkojnë jashtë të përfshihen në kontaktin me shqiptarët. Kontaktin me diasporën do e mbajmë, na duhet një kontakt i vazhdueshëm”, nënvizoi ai. Fjalimin e tij të gjatë, kryeministri Edi Rama e mbylli me fjalët: “Faleminderit për durimin. Dy amanetet e mia janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Televizioni Publik Shqiptar!”.

Published inBank

Comments are closed.