Me dhimbje të madhe në shpirt e me lot në sy, Valbona Kalaja, bashkëshortja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje në sallën e Gjykatës së Apelit, rrëfen takimin e fundit të mëngjesit të 6 tetorit, pa e ditur që atë pasdite jeta do t’i ndryshonte plotësisht.
Në një intervistë për Mira Kazhanin, e cila ka ndarë promon e podcast-it, Valbona Kalaja tregon ndjesinë e çuditshme që një dosje e një çështje civile i dha teksa Astriti e kishte në dorë e më pas e futi në çantën e tij për tu larguar.
“Është një moment që më ka ngel fiksim, i rregullova dhe vetullat që të shkonte i bukur në punë. Kur u ndamë, kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, kurrë nuk do ta harroj atë dosje. Zakonisht dosjet civile janë të trasha, dhe kjo ishte e fundit që mbylli. Ndoshta s’ka qenë kjo dosje dhe kur e mbylli, dosja lëshoi dhe si pluhur vetë”, rrëfen ajo.
Valbona e përshkruan Astritin e ditëve të fundit, si të shqetësuar, i cili nuk flinte shumë dhe rrinte pjesën më të madhe të kohës me telefon në dorë. Astrit Kalaja ishte nga të paktët gjyqtarë të sistemit, i cili kaloi me sukses procesin e vettingut, për të cilin Valbona pavarësisht lumturisë së asaj dite, sot nuk do të donte që bashkëshorti i saj ta kishte kaluar, me dëshirën për të qenë akoma në jetë.
“Atë javë me të vërtet ka qenë i shqetësuar, e shihja me celular në dorë. Tani që i kujtoj, duke e dit sesi kemi jetuar e na ka njohur Shkodra, çfarë hoqëm për ta kaluar vettingun. Deri atë ditë që e kaluam, ishte një ndër ditët më të lumtura. Ndonjëherë them që mos ta kishte kaluar, më mirë do ishte”.
Pavarësisht sesa e rëndë ishte ngjarja, kjo nuk i ndaloi qytetarët që të shprehnin mllefin për sistemin e drejtësisë. Valbona thotë se ato komente nuk ishin për Astritin, teksa shton se vetë ky i fundit kishte ngritur si shqetësim ngërçin institucional.
“E dija që ato komente nuk kanë lidhje me Astritin. Ndoshta populli kishte të drejtë. Ai si gjyqtar e shfaqte këtë. Sipas meje, që jemi rritur në këtë sistem, ka dhe autor ka dhe fajtor”.
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e Gjykatës së Apelit pasditen e 6 tetorit nga Elvis Shkambi, i cili ishte palë në procesin që po gjykohej nga ai. Shkambi nuk u largua nga vendngjarja, por priti policinë ndërsa ka deklaruar se Astrit Kalaja ka bërë padrejtësi ndaj familjes së tij në gjyqin për një pronë në Shkodër

Comments are closed.