Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Kuvendi se çdo përpjekje për ta krahasuar atë me kryeministrin Edi Rama është e pabazë, duke theksuar se “nuk ka gjë më të pakrahasueshme”. Sipas Berishës, një krahasim i tillë përbën madje një mbështetje të panevojshme dhe të padëshiruar për kryeministrin.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Berisha akuzoi Edi Ramën se sot po sillet si avokat i zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, e cila, sipas tij, është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.
“I nderuar koleg, nuk ka gjë më të pakrahasueshme dhe në një mënyrë apo një tjetër mbështetje të padëshiruar ndaj Edi Ramës, duke patur parasysh pozicionin tuaj, se sa ta krahasosh Edi Ramën me Sali Berishën”, u shpreh ai.
Berisha vijoi duke ngritur pyetje retorike mbi situatën aktuale të kryeministrit:
“Merr vetëm faktin: ku e ke sot Edi Ramën? Ku është në këtë moment? Po bën avokatin e Lubisë në gjykatë. Merr vetëm dosjen e AKSHI-t, ku me urdhër të Surrelit merren peng biznesmenë që guxojnë të marrin pjesë në garë.”
Në fjalën e tij, kreu i PD-së u ndal edhe te raportet e kryeministrit Rama me liderët rajonalë, duke e akuzuar se mban qëndrime të dyfishta.
“Merr faktin që deklaron se merret vesh shumë mirë me Vuçiçin, por nuk merret vesh dot me kryeministrin e Kosovës, për faktin e vetëm se ai nuk u bindet urdhrave të Vuçiçit. Si mund të bësh një krahasim të tillë?”, tha Berisha.
Sipas tij, edhe deputetët e mazhorancës janë të vetëdijshëm për barrën politike që mbart qeveria, por megjithatë vazhdojnë ta mbrojnë atë.
“Edhe këta kanë dorë vetë, prandaj edhe e mbrojnë. Kur shkojnë në shtëpi i presin dhe u thonë: ‘Çfarë bëtë ju për Lubi Ballukun, na e nxinë fytyrën’”, u shpreh ai.
Berisha komentoi gjithashtu edhe deklarimet e Ramës lidhur me çështje të së shkuarës, duke theksuar se përpjekjet për t’u justifikuar nuk e shpëtojnë dot situatën aktuale politike.
“Edi Rama po bën gjithçka të shpëtojë, por në mënyrë absolute, data 24 është aty. Ju që jeni këtu, shkoni e thoni: po je burrë, qëndro në zyrë”, përfundoi Berisha.

Comments are closed.