Eurodeputeti Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për median greke dhe duke ju referuar deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë një samiti në Abu Dhabi ditë më parë, me një gazetar grek, është shprehur se origjina nga nëna e liderit shqiptar, është greke.
Duke folur për “Parapolitika.gr” rreth kryeministrit shqiptar, origjinës së tij, por edhe deklaratave që ka bërë së fundmi për Greqinë, eurodeputeti i dënuar në Shqipëri për vjedhje votash, ka thënë se pikërisht për shkak të origjinës Edi Rama e urren Greqinë.
“Edi Rama, pikërisht për shkak të origjinës së tij, ka një kompleks dhe një antipati ndaj çdo gjëje greke, kjo ka qenë e qartë gjatë gjithë karrierës së tij. Ndërsa në Greqi ai është parë gjithmonë pozitivisht dhe është mbështetur”, është shprehur Fredi Beleri.
Sipas tij, nëna e kryeministrit Edi Rama, e ndjera Aneta, ka qenë nga Mali i Himarës dhe vëllezërit e saj janë shkolluar në Korfuz. Sipas Fredi Belerit, kjo zonë është minoritare.
“Nëna e Edi Ramës është nga mali i Himarës me mbiemrin Koleka, vëllezërit e saj kishin studiuar, kishin shkuar në Korfuz”. Sipas himara.gr, nëna e Kryeministrit aktual të Shqipërisë (mjeke në profesion) ishte pinjolle e një familjeje të njohur nga mali i Himarës, që mbante mbiemrin Koleka. Xhaxhai i saj ishte politikani jetëgjatë shqiptar, Spyros Thomas Koleka (1908-2001), i diplomuar në universitete italiane, i cili u ngjit në nivelet e larta të hierarkisë partiake dhe qeveritare shqiptare (mbajtës titulli i Byrosë Politike dhe ministër i portofoleve të ndryshme).
Babai i Kryeministrit të Shqipërisë, Kristaq Rama (1932-1998), një atlet dhe skulptor i shquar i rrymës hibride të “realizmit socialist”, ishte anëtar i parlamentit dhe anëtar i Presidiumit të Parlamentit (1970-1991). Megjithatë, vetë Rama u distancua nga origjina e nënës dhe e babait të tij, duke kaluar nëpër një evolucion politik spontan dhe duke deklaruar se origjina e tij përfundimtare demonstrohet nga Mirdita katolike romake dhe nga dikush që zbriti prej andej në fshatin Vuno me emrin Kol Leka (pra mbiemri nga shqiptimi i gabuar) “Koleka”, është shprehur Fredi Beleri.
Sipas minoritarit që Greqia e bëri eurodeputet edhe përse ishte në burg në Shqipëri, Edi Rama është po aq grek sa Nikos Dendias dhe Stefanos Ghikas, të cilët vijnë nga i njëjti fshat me nënën e tij, nga Mali i Himarës.
“Në malin e Himarës, njerëzit janë me origjinë greke, por ai vetë nuk e ka pranuar kurrë këtë, Himara është një rajon i panjohur. Por ai është padyshim me origjinë greke. Për shembull, Z. Nikos Dendias, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, si dhe Z. Stefanos Ghikas, Zëvendësministri i Transportit Detar, janë nga i njëjti fshat me nënën e Z. Rama, Mali i Himarës. Ai ka një teori se ka ardhur nga Shqipëria veriore 300 vjet më parë”, deklaroi ai konkretisht. Dhe shtoi: “Paraardhësit e tij shkruanin në greqisht dhe flisnin për grekësinë e tyre, ai vetë nuk e pranon atë.”
Ai ka përmendur edhe të famshmen “Marrëveshje e Detit”, e cila u firmos gjatë kohës së qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha, por u rrëzua në Gjyjkatën Kushtetuese nga shoqëria civile dhe Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama, në atë kohë në opozitë.
“Edhe si udhëheqës i opozitës, ai është ankuar në gjykatën kushtetuese kundër marrëveshjes së Karamanlisit me Shqipërinë për përcaktimin e zonave detare (EEZ). Z. Rama e kishte denoncuar atë”, vuri në dukje Fredi Beleri.
Lidhur me deklaratat e bëra javën e kaluar nga Edi Rama për gazetarin John Defterios, Fredi Beleri ka thënë se kryeministri shqiptar ka “delir të vazhdueshëm anti-grek”, dhe këtë sipas eurodeputetit, e bën qëllimisht për vota.
“I gjithë ky delir anti-grek i tij është i vazhdueshëm dhe i qëllimshëm, nuk është i rastësishëm, nuk është gabimisht. Ka dy qëllime pas tij. I pari është sepse ai dëshiron t’u përkëdhelë veshët nacionalistëve shqiptarë, i sjell vota. I dyti është psikologjik. Pikërisht për shkak të origjinës së tij, ai ka sjelljen që ka çdo jeniçer”, është shprehur Fredi Beleri.

Comments are closed.