Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në Rumani, ku humbën jetën shtatë tifozë të ekipit grek PAOK, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Siç raportuam dhe më herët mes viktimave ishte dhe një shtetas shqiptar, Vasil Pilo, ndërkohë që i plagosur mbeti dhe një bashkëkombas i tij.
Sipas dëshmisë së njërit prej të plagosurve, shkak i aksidentit mund të ketë qenë një problem me sistemin e asistencës për mbajtjen e korsisë në furgonin me të cilin udhëtonin tifozët. I riu i plagosur i ka treguar mjekut grek Dimitris Koukoulas se gjatë një manovre parakalimi, timoni dyshohet se është bllokuar për shkak të aktivizimit të këtij sistemi.
“Timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të ndihmës për mbajtjen e korsisë”, mësohet t’i ketë thënë i riu mjekut, deklaratë që u bë publike nga vetë Koukoulas gjatë një interviste për televizionin shtetëror grek ERT.

Mjeku, i cili ndodhej në spitalin ku u transportuan të plagosurit, tregoi se kishte komunikuar me dy nga tre të mbijetuarit.
“Pacienti që është në gjendjen më të mirë ka fraktura në gjymtyrët e poshtme. Ai më tha se gjatë parakalimit ndodhi diçka me sistemin e asistencës për korsinë, i cili u aktivizua dhe bllokoi timonin. Shoferi nuk arriti të rikthente kontrollin e mjetit”, u shpreh Koukoulas.
Teksa hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje janë duke vijuar, ekspertët e sigurisë rrugore sqarojnë se sistemi i asistencës për korsinë çaktivizohet automatikisht kur shoferi aktivizon sinjalin e kthesës, pasi sistemi “kupton” se ndryshimi i korsisë është i qëllimshëm.
Si ndodhi aksidenti fatal:
Aksidenti ndodhi në Qarkun Timiş, në rrugën DN6–E70, pranë qytetit Lugoj, në hyrje të unazës rrugore. Një kamerë e vendosur në një kamion që lëvizte në të njëjtin aks ka regjistruar momentin fatal.
Në pamje shihet furgoni i zi me dhjetë tifozë të PAOK-ut, i cili sapo kishte parakaluar kamionin. Fillimisht mjeti duket se po rikthehej në korsinë e djathtë, por papritur devijon në sensin e kundërt të lëvizjes dhe përplaset ballë për ballë me një kamion që vinte përballë.
Furgoni përfundoi jashtë korisisë, i shkatërruar komplet. Gjashtë pasagjerë humbën jetën në vend, ndërsa viktima e shtatë ndërroi jetë më vonë në ambulancë. Tre të tjerë u plagosën rëndë dhe po trajtohen në një spital në Timishoara.
Brenda furgonit, i cili ishte marrë me qira, ndodheshin dhjetë persona nga Selaniku, Aleksandria dhe Katerini. Nga shtatë viktimat, tre ishin nga Aleksandria, dy nga Katerini dhe dy nga Selaniku. Të gjithë po udhëtonin drejt Lionit të Francës për të ndjekur ndeshjen e ekipit të tyre të zemrës.
Mes viktimave edhe një shqiptar: Kush ishte Vasil Pilo
Mes viktimave të aksidentit ishte edhe një shtetas shqiptar. Vasil Pilo, i riu shqiptar që humbi jetën së bashku me gjashtë tifozë të tjerë të PAOK-ut prej vitesh jetonte në shtetin fqinj, në Alexandria të Imathias. Miqtë e tij tregojnë se ai ishte një tifoz i zjarrtë i PAOK-ut dhe i pranishëm pothuajse në çdo ndeshje të skuadrës, ashtu si edhe në këtë udhëtim fatal drejt Francës.
Ndërkohë, shqiptari tjetër i përfshirë në aksident, Genci Sadiku, ka mundur të komunikojë për pak sekonda me familjen e tij. Ai u ka thënë se është gjallë dhe se do të rikthehet në Shqipëri.
“Nuk e di si jam gjallë, por jam mirë. Do të vij përsëri në shtëpi”, kanë treguar familjarët e tij për mediat greke.

Homazhe dhe zi në stadiumin Toumba
Tragjedia ka tronditur thellë komunitetin e tifozëve të PAOK-ut. Jashtë stadiumit Toumba, flamujt me shqiponjën dykrenare të klubit u ulën në gjysmështizë. Që nga pasditja e djeshme, tifozë dhe banorë të zonës kanë lënë lule, qirinj dhe shalle të PAOK-ut në shenjë zie.
Një grua ishte e para që la një buqetë me trëndafila të bardhë. “Sapo e mora vesh, erdha menjëherë. Nuk mund ta besoj çfarë ndodhi”, u shpreh ajo, duke kujtuar edhe aksidentin tragjik të vitit 1999 në Tempi, ku humbën jetën gjashtë tifozë të PAOK-ut.

Tifozët që u mblodhën jashtë stadiumit qëndruan për orë të tëra në heshtje përpara altarit të improvizuar. Pranë një flamuri të madh të PAOK-ut, një tifoz vari një fanellë me mbishkrimin:“O Zot i madh, vëllezërit tanë. 27.01.2026”.
Në mbrëmje, trajneri i PAOK-ut, Razvan Lucescu, mbërriti në stadium së bashku me lojtarët dhe drejtuesit e klubit, ku vendosën lule në kujtim të tifozëve të ndarë nga jeta, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të të pranishmëve.

Comments are closed.