Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, ku kanë humbur jetën dy të rinj shqiptarë, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Strada Sanita, në segmentin e provinciale që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën Cuneo.
Sipas mediave italiane, automjeti tip Jeep, me të cilin udhëtonin të rinjtë shqiptarë, është përplasur “kokë më kokë” me një mjet të rëndë tip Iveco.
Në automjetin Jeep ndodheshin tre shtetas shqiptarë. Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në anësore.
Dy prej shqiptarëve të moshës rreth 20 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa 21-vjeçari tjetër është transportuar me ambulancë në spitalin e Saviglianos, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në kamionin Iveco udhëtonin dy persona, një burrë dhe një grua. Burri, 58 vjeç, është dërguar në spital, ndërsa gruaja, 55 vjeçe, ka pësuar plagë të rënda dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit Santa Croce në Cuneo.
Policia italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe po verifikojnë nëse përplasja mund të jetë shkaktuar nga një manovër e rrezikshme parakalimi. Për disa orë, rruga u mbajt e bllokuar dhe qarkullimi u devijua.

Comments are closed.