Ministri Petrit Malaj ka nënshkruar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet, ndonëse në konferencë i përjashtoi fatkeqësitë e tjera natyrore e shpalli të dedikuar vetëm për mbrojtjen nga lëkundjet sizmike.
“Përmbytjet gjithashtu janë një rrezik i përsëritur dhe me ndikim të lartë ekonomik, veçanërisht në zonat e ulëta pranë lumenjve dhe rajonet bregdetare. Ngjarjet e viteve 2010, 2015 dhe 2021 kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë, me humbje që arrijnë deri në qindra milionë euro. Këto rrethana imponojnë domosdoshmërinë e sigurimit të detyrueshëm të banesave si instrument ligjor për mbrojtjen financiare dhe reduktimin e pasojave socio-ekonomike”, thuhet në projektligj.
Dokumenti sjell një mekanizëm të ri ligjor që nuk e lë sigurimin e banesave ne dorë e vullnet te pronareve, por e bën të detyrueshme pagesën vjetore që parashikohet të menaxhohet nga shteti.
“Modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania. Implementimi i këtij ligji pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike”, sipas projektligjit.
Vlera e sigurimit që do duhet të paguajnë shqiptarët nuk është zbuluar ende, por në draft e drejta e propozimit së kufirit maksimal të shumës së sigurimit të detyrueshëm i takon ministrit të financave, që më pas do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Në projektligj përcaktohet se primi i sigurimit për personat me ndihmë sociale financohet nga buxheti i shtetit.

Comments are closed.