Pas 29 ditësh nga zhdukja, është gjetur trupi i Jurgen Karaj, 30 vjeç, nga fshati Fullqet i Klosit. Trupi u lokalizua rreth 30 kilometra larg vendit të aksidentit.
Makina në të cilën ndodhej Karaj me shokun e tij Andi Losha, u aksidentua dhe përfundoi në përroin e fshatit Darsë të Klosit. Dyshohet se ai është rrëmbyer nga rrjedha e ujit më 10 janar.
Që nga dita e aksidentit, kërkimet në lumë janë zhvilluar pa ndërprerje. Në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë dhe struktura të tjera. Në operacion kanë marrë pjesë edhe ekipe nga Kosova me mjete dhe pajisje speciale.
E gjithë vija lumore e lumit Mat është kontrolluar disa herë, por trupi i 30-vjeçarit nuk ishte gjetur deri tani.
Dy ditë më parë, në Klos të Matit ka mbërritur vetë ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ku bashkë më homologun Pirro Vengu kanë ndjekur nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit për Jurgen Karajn.

Forca e Sigurisë së Kosovës, që prej datës 29 janar, është angazhuar në këtë operacion me njësinë e specializuar të kërkim-shpëtimit, me personel të trajnuar për kërkime në ujëra, si dhe me mjete teknologjike të avancuara, përfshirë skanerë dhe dronë nënujorë. Kurse Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar që prej ditës së parë.
Sot, pas 29 ditësh, trupi i pajetë i Jurgen Karaj është gjetur në rrjedhën e lumit Mat. 30 vjeçari ra në përroin e fshatit Dars të Klosit me makinë, por shoku e braktisi dhe fatkeqësisht, Jurgenin e mori rrjedha e ujit.

Rreth orës 01:30 të datës 10 Janar, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi” me targa angleze kishte dalë nga rruga dhe për pasojë kishte rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit Andi Losha, 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi Jurgen Karaj, 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
© Newsbomb.al

Comments are closed.