Protesta e thirrur nga Partia Demokratike këtë të martë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë incidenteve nuk kanë munguar edhe aktet e dhunës, ndërsa i lënduar ka mbetur deputeti demokrat, Bledion Nallbati.
Sipas raportimeve, Nallbati është goditur nga efektivët e FNSH-së dhe ndaj tij është përdorur edhe spraj në fytyrë. Menjëherë pas incidentit, ai është shoqëruar drejt Urgjencës së Spitalit të Traumës ngakolegët e tij demokratë, Gazment Bardhi dhe Albana Vokshi.
Ka qenë vetë deputetja Albana Vokshi ajo që ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të tij. Sipas saj, Nallbati ka pësuar një goditje në kokë gjatë momentit kur po ndihmonte qytetarët në protestë.
“Ka një goditje në kokë. Ishte duke ndihmuar një qytetar, kur policia e ka goditur në kokë. Aktualisht është duke u trajtuar, po i bëjnë larje të syve dhe të fytyrës për shkak të djegies nga spraji, si dhe po i nënshtrohet një skaneri”, është shprehur Vokshi.
Ndërkohë, pas përfundimit të protestës, në Spitalin e Traumës ka shkuar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për t’u interesuar nga afër për gjendjen shëndetësore të deputetit.

Comments are closed.