Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale në Kuvendin e Shqipërisë, ka shpjeguar më me detaje propozimin e Partisë Socialiste të cilën ai e përfaqëson, për Reformën e re Territoriale, që ka të bëjë me rishikimin e ndarjes administrative të vendit dhe funksioneve të pushtetit vendor.
I ftuar në emisionin “Top Story”, ai tha se thelbi i propozimit socialist lidhet me ndarjen më të qartë të kompetencave të bashkive dhe rritjen e kapaciteteve për planifikim dhe zhvillim.
Arbjan Mazniku theksoi se shumë bashki të vogla përballen me mungesë specialistësh, çka e bën të vështirë ofrimin e disa shërbimeve thelbësore, sidomos në fushën e planifikimit urban. Për këtë arsye, një nga opsionet në diskutim është ndarja e vendit në rajone dhe riorganizimi i funksioneve mes niveleve të pushtetit vendor.
“Që të marrësh një shërbim duhet të ketë një seri planifikimesh më pas. Problemi është që mirëmbajtja e rrugëve, p.sh., ndodh edhe në bashki të vogla, kurse planifikimin urban nuk e bën dot një bashki e vogël që nuk ka 2 arkitektë dhe 3 urbanistë”, është shprehur ai.
Pyetja është: A bëjmë dot më shumë bashki?
“Në Shqipëri janë 60 qytete; po të bëjmë një bashki tjetër, s’kemi qytet, zonë urbane. Çdo tentativë për ta rritur numrin do të krijonte një hapësirë pa qytet, pa shërbime, arkitekt, jurist, dentist, noter. Të ndahet funksioni në nivele të ndryshme, të ndajmë kompetencat mes bashkive dhe njësive administrative.
Po të mos ishte bërë reforma e 2014-ës, nuk do të kishim Korçën, Gjirokastrën apo Lezhën me turistë. Ne duhet ta ndajmë Shqipërinë në rajone. Në korrikun e 2026-ës do të miratohet reforma territoriale në Parlament”, ka vijuar më tej Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit.

Comments are closed.