Skip to content

Del e vërteta! Endrit Shabani nuk u zgjodh president i Shoqatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u bë kryefjalë e mediave për 24 orë me lajmin se është zgjedhur president i Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM). Ky lajm u shit si një arritje e madhe institucionale për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. E çuditshme, duke marrë parasysh faktin se Shabani sapo ka marrë këtë detyrë.

Sa i saktë është ky raportim që u servir me kaq shumë pompozitet? Zero.

Organizata e Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM) u themelua më 19 dhjetor 2008 në Marsejë. Qëllimet e saj janë promovimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Organizata përfshin 27 anëtarë me të drejtë vote dhe 6 vëzhgues ndërkombëtarë, duke përfshirë institucione nga Europa, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme. Organigrama dhe rregullat e brendshme të kësaj organizate tregojnë kleçkën e lajmit.

Statuti i saj përcakton qartë se presidenti dhe drejtuesit zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat trevjeçar. Organi më i lartë vendimmarrës ka kompetencën të zgjedhë presidentin e Shoqatës për 3 vite, raporton “Kontrast”.

Po ashtu, mandati i bordit drejtues është po 3 vite dhe përfundon vetëm në asamblenë pasuese që zhvillohet pas zgjedhjes. Të dhënat zyrtare të organizatës tregojnë se drejtuesit janë zgjedhur për mandatin aktual 2025–2028. Kjo do të thotë se presidenca nuk është vakante dhe as nuk ka pasur proces të ri zgjedhor që të justifikojë një emër të ri.

Shqipëria e ka pasur drejtimin e organizatës për këtë mandat përmes ish-Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, e cila rezulton presidente në bordin drejtues dhe në atë ekzekutiv, zgjedhur që në vitin 2025. Pra, Shqipëria nuk e mori sot këtë detyrë (presidencën), por e ka prej kohësh.

Lajmi i shpërndarë më shpejt se rrufeja për Shabanin nuk mbështetet në asnjë fakt publik, statut apo vendim të AOM-së. Praktikisht, ai thjesht ka vijuar detyrën që kishte paraardhësja e tij.

Në faqen zyrtare të organizatës nuk është publikuar asnjë lajm për zhvillimin e një asambleje të AOM-së ditët e fundit. Nuk tregohet nëse ka patur një votim apo ndryshim drejtuesish.

Pra, e gjitha qe një manipulim dinak, një përpëlitje e dikujt apo disave për të shitur një sukses fals.

Published inBank

Comments are closed.