Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vizituar Washington në ditët në vijim. Sipas Ramës, ftesa lidhet me themelimin zyrtar të Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare ku Shqipëria pritet të jetë shtet themelues.
Deklarata e Ramës vjen pas një periudhe të gjatë ngrirjeje dhe zhurme politike rreth marrëdhënieve të tij me Trumpin, periudhë gjatë së cilës opozita, e udhëhequr nga Sali Berisha, ka këmbëngulur se Kryeministri shqiptar nuk gëzon mbështetje në Uashington dhe se administrata amerikane e konsideron të korruptuar.
Rama e lidhi drejtpërdrejt ftesën me momentet e tensionit të brendshëm politik, duke rikujtuar protestat e dhunshme të opozitës dhe hedhjen e molotovëve drejt Kryeministrisë. Sipas tij, pikërisht në atë kohë ka mbërritur edhe ftesa nga Presidenti Trump, ndërsa akuzat se ai “nuk ftohet dot në Uashington” i cilësoi si pretendime qesharake që sot bien poshtë nga faktet.
“Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për nisjen e aktivitetit të tij. Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe nuk do të kontribuojë financiarisht, por me dinjitetin dhe respektin ndërkombëtar që ka fituar,” deklaroi Rama, duke theksuar se pjesëmarrja në këtë nivel diskutimi për paqen globale është tregues i një pozicioni të konsoliduar ndërkombëtar të Shqipërisë.
Politikisht, ky zhvillim përkthehet si lajm i mirë për Ramën, pasi sinjalizon një normalizim dhe afrimi me Presidentin Trump pas një kohe të gjatë pasigurie diplomatike. Në të njëjtën kohë, është lajm i keq për Berishën, i cili ka ndërtuar një pjesë të fortë të narrativës së tij mbi idenë se Rama është i izoluar nga SHBA dhe i padëshiruar në Uashington.
Ftesa nga Presidenti Trump e vë opozitën përballë një kontradikte të fortë politike: ose duhet të rishikojë akuzat për izolimin ndërkombëtar të Ramës, ose të shpjegojë se si një kryeministër i cilësuar “i korruptuar” ftohet në nivelet më të larta të diskutimit ndërkombëtar për paqen.
Në pritje të vizitës në Uashington dhe detajeve të mëtejshme mbi rolin e Bordit të Paqes, një gjë është e qartë: balanca politike e narrativës Rama–Berisha ka pësuar një goditje, me Kryeministrin që fiton terren në arenën ndërkombëtare dhe opozitën që mbetet përballë një realiteti të vështirë për t’u justifikuar para publikut.

Comments are closed.