Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar ditën e sotme drejt juglindjes. Pas problemeve që prej ditësh aksi Librazhd-Pogradec është duke u përballur, kreu i qeverisë ka vendosur që të shkojë me helikopter.
Burime për mediat bëjnë me dije se duke qenë se ky segment ka pësuar rënie, kryeministri Rama i cili duhet të jetë i pranishëm në inaugurimin e Polit të Dijes është dashur që të përdorë transportin ajror.
Sipas të njëjtave burime mësohet se Policia e Korçës është lajmëruar se kreu i qeverisë do të zbresë me helikopter në qytetin e Korçës në orën 11:00.
Sakaq theksojmë se rruga e bllokuar në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit vijon të jetë e bllokuar. Po ashtu, edhe segmenti i dytë i cili do të hapej mesditën e sotme ka pësuar probleme.
Mësohet se ky segment ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje të një sipërfaqeje të madhe toke.
Duke dëmtuar kështu punën e kryer ditët e fundit, dhe në këtë mënyrë e ka bërë të pakalueshëm këtë segmet, po ashtu janë larguar makinat e firmës pasi ekziston frika e fundosjes së mëtejshme, si edhe është ndaluar qarkullimi i këmbësorëve.
Kujtojmë se e vetmja rrugë lidhëse tashmë me juglindjen është aski Maliq-Gramsh, por edhe në atë aks ka pasur trafik kolosal për shkak të fluksit tepër të lartë të automjeteve.

Comments are closed.