Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, sipas deklarimeve të bëra nga përfaqësuesit e SPAK gjatë mbledhjes së Këshilli i Mandateve, e cila po zhvillohet prej disa orësh në ambientet e Kuvendi i Shqipërisë. Prokurorët kanë theksuar se në momentin kur është kërkuar masa e parë e sigurisë ndaj saj, ajo rrezikonte deri në 10 vite burg, por situata procedurale është rënduar ndjeshëm pas shtimit të akuzave, duke çuar në rritjen e dënimit maksimal të mundshëm në 35 vite heqje lirie.
Kreu i SPAK Klodian Braho: Në situatën kur i kërkuar masa e parë ndaj znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës.
Pas afro pesë orësh diskutime me dyer të mbyllura, ka përfunduar mbledhja e Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, Belinda Ballukut.
Seanca e posaçme nisi në orën 10:00 dhe u zhvillua pa praninë e medias, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, për shkak të sekretit hetimor që mbart çështja.
Mbajtja e mbledhjes me dyer të mbyllura u kundërshtua nga opozita, e cila kërkoi transparencë të plotë dhe që diskutimet të ishin të hapura për publikun dhe median.
Përfaqësuesit e shumicës parlamentare dolën kundër kërkesës për masë më të ashpër sigurie. Deputeti i PS, Ulsi Manja, deklaroi gjatë mbledhjes se masat aktuale ndaj Ballukut, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga detyra publike, janë të mjaftueshme për nevojat e hetimit.
Ky qëndrim i socialistëve u konfirmua edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në një deklaratë për mediat bëri me dije se do të jetë Ulsi Manja ai i cili në emër të socialistëve do të hartojë një raport i cili më pas do t’i paraqitet Kuvendit në seancë plenare.
Lidhur me këtë kërkesë të SPAK sa i përket heqjes së imunitetit të zv.kryeministres Balluku në Kuvendin e Shqipërisë do të ketë dy raporte, një i socialistëve të cilët ashtu sikurse dhe ditën e sotme e deklaruan se masat e vendosura ndaj ministres janë të mjaftueshme, dhe ai i demokratëve të cilët kanë kërkuar autorizimin për arrestimin e saj.
“Imunitet konceptin e vet dhe primar nuk ka, dua t’ju njoftoj në përfundim të shqyrtimit të kërkesës për autorizimin drejtuar Kuvendit se ka qenë një proces shumë i mirë, ku jo pa arsye, po me arsye të plota, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë kohën e nevojshme. Gjatë diskutimeve sot ka dalë në pah fakti se vetë Gjykata e Apelit pati pezulluar shqyrtimin, për shkak se po shqyrtohej Kushtetuesja. Shqyrtimi i sotëm, mendoj, ka hedhur dritë mbi shumë çështje që lidhen pikë së pari me elementin thelbësor të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, prezumimi i pafajësisë.
Megjithatë, në përfundim të këtij procesi, duke qenë se pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim dhe dukej qartë që edhe në komunikimet me ju, SMS e vendimit ju erdhi para, ndërkohë që në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve prezentë të PS, unë kam informuar Këshillin e Mandateve se sa i përket kërkesës së PD për dhënien e menjëhershme të arrestimit, ne nuk ishim dakord, do të kemi një diskutim.
Një informim nga ana ime dhe anëtarëve të tjerë, sepse siç e dini nuk e jep autorizimin Këshilli, autorizimin e jep seanca plenare dhe pas atij komunikimi, i cili GP i PS shpesh herë i bën mbledhjet e hapura, duhet të kuptojmë se ka disa elementë që nuk mund të bëhen publike, kështu që në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emër të 5 tonëve, zoti Manja do të hartojë raportin tonë dhe ndërkohë që nga ana e tyre 5 deputetët do të sjellin raportin e tyre”, tha Balla.
Vijon…

Comments are closed.