Skip to content

Drejtësia thërret në gjykatë Noizyn, reperi do të përballet me “makthin” e Lushnjës

Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, është thirrur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u bërë pjesë e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiu, si viktimë e një prej episodeve kriminale që i atribuohen këtij të fundit.

Burime për mediat bëjnë me dije se Noizy mund të jetë vetë prezent në sallë, ose të përfaqësohet nga avokati i tij. Përveç Rajkut, pjesë e procesit mund të bëhen edhe familjarë të tij, konkretisht babai Bashkim Rajku dhe motra e reperit.

Ngjarja në fjalë lidhet me atentatin me tritol të ndodhur më 8 qershor 2022 në Durrës, ku u dëmtuan ambientet e lokalit dhe butik-ut në pronësi të Noizyt. Lënda plasëse shpërtheu në pjesën ballore të biznesit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke tronditur opinionin publik në atë kohë.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK si dhe dëshmisë së “pentitos”, Artan Tafani , u bë me dije se tritoli në biznesin e Noizyt u vendos me urdhër të Laert Haxhiut. I “forti” i Lushnjes mori “hak” për mikun e tij, Kleviol Ahmetit, i njohur ndryshe si Cllevio Serbiano.

Siç dhe u bë me dije më herët kjo ngjarje erdhi si pasojë e sherrit që Noizy dhe Cllevio kishin me njëri-tjetrin dhe pas dhunimit të këtij të fundit nga persona të afërt me reperin.

Prokuroria ka ngritur ndaj Haxhiut dhe bashkëpunëtorëve të tij disa akuza të rënda, mes tyre “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”.

Published inBank

Comments are closed.