TIRANË – Në një intervistë për Euronews Albania, profesori i kriminologjisë Ervin Karamuço ka hedhur dritë mbi prapaskenat e operacionit sekret që çoi në kapjen e liderit të kartelit të fuqishëm “Gjenerata e Re e Xhaliskos” (CJNG). Karamuço detajoi se si një organizatë që funksiononte si një “shtet brenda shtetit” u godit përmes një infiltrimi të sofistikuar dhe një bashkëpunimi të ngushtë me inteligjencën amerikane.
Mesazhi “Hajde” dhe fundi i bosit në male
Sipas Karamuços, bosi i drogës, i cili i kishte shpëtuar drejtësisë për vite me radhë, u kap pas një gabimi fatal në jetën private. Një grua, e cila dyshohet se ishte agjente e infiltruar e DEA-s, i dërgoi një mesazh të thjeshtë me tekstin “Hajde”. Ky mesazh e nxori atë nga vendstrehimi i sigurt në një zonë malore afër Guadalaharës. Edhe pse bosi kishte ndërtuar tunele sekrete për t’i shpëtuar rrethimit, ai u kap në momentet e fundit teksa po tentonte të largohej me vetëm dy ose tre truproja.
Protokollet e torturës: Bateritë e makinave kundër teknologjisë
Një nga detajet më tronditëse të treguara nga Karamuço në Euronews Albania ishte mënyra se si karteli mbrohej nga spiunët. Për shkak se agjentët e DEA-s shpesh mbanin pajisje gjurmimi të instaluara brenda trupit, karteli aplikonte një protokoll strikt kontrolli. Çdo person i ri që nuk ishte pjesë e rrethit të ngushtë zhvishej, lagej dhe vihej në korrent me bateri makine. Ky proces synonte të shkarkonte dhe të digjte çdo qark elektronik që mund të ishte fshehur në trupin e tyre. Karamuço sqaroi se këto metoda brutale, pjesëtarët e kartelit i kishin mësuar nga ish-agjentë federalë amerikanë të korruptuar.
Një ushtri me 20,000 ushtarë dhe dronët e CIA-s
Karamuço e përshkroi kartelin si një forcë ushtarake të mirëfilltë, me mbi 20,000 ushtarë, makina të blinduara dhe kampe stërvitore të drejtuara nga ish-instruktorë të Marinës Federale. Për shkak të rrezikut të lartë të dekonspirimit, operacioni u mbajt në fshehtësi totale nga Marina Ushtarake meksikane, e cila nuk e ndau informacionin as me policinë vendore. Ndërkohë që trupat tokësore amerikane nuk u lejuan, hapësira ajrore u la e lirë për avionët specialë dhe dronët e CIA-s.
E ardhmja e kartelit dhe prezenca e shqiptarëve
Lidhur me fatin e mëtejshëm të organizatës, Karamuço parashikoi një shpërbërje të mundshme ose luftë të brendshme për dominim, duke qenë se edhe djali i bosit ndodhet në burgim të përjetshëm në SHBA. Ai theksoi se tashmë këto organizata po trajtohen si grupe terroriste, gjë që i jep të drejtë SHBA-së të godasë direkt në origjinë.
Në fund, i pyetur për përfshirjen e shqiptarëve në këto nivele të larta të krimit, Karamuço ishte i prerë: brenda rrethit aktiv të kupolave të këtyre karteleve, prezenca e shqiptarëve është zero. Sipas tij, shqiptarët mund të identifikohen vetëm si bashkëpunëtorë në “duar të treta apo të katërta”, por kurrë si pjesë drejtuese e strukturës

Comments are closed.