Gazetari Artan Hoxha komentoi ekstradimin e Durim Bamit, të fortin e Niklës, një ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ai theksoi se Durim Bami është në një dosje ku rezulton edhe “viktimë” edhe autor, pasi ka dashur të vrasë shumë njerëz, si edhe atë kanë dashur ta eliminojnë po ashtu të tjerë.
I pyetur për mundësinë nëse ai mund të bëhet i penduar i drejtësisë, ai theksoi se Bami është një “minierë” informacionesh për ngjarjet më të bujshme në vend, por shtoi se ai mund t’i “peshojë” veprimet e tij sepse ka familjarë jashtë, të cilët mund të vihen në rrezik nga deklaratat e tij.
“Durim Bami është ekspozuar në shumë ngjarje të mëdha. është akuzuar për ngjarjen e Kasharit, iu bë atentat Shullazit. Por edhe rasti ku zhduket Stafuka. Pra është njeri që i kanë bërë disa herë atentat, por emri i tij shfaqet gjithandej në ngjaje që kanë ndodhur. Vjen nga zona e Niklës, ku ka qene baza operacionale e ngjarjeve që ndodhin në kryeqytet. Fakt është që Bami nuk hetohet aktualisht për ngjarje para 2012, apo pas 2021. Është për ngjarje që janë konstatuar nga të dhëna nga rrjeti Sky. Nga 2019 deri në 2021.
Gjithë ky Durim i madh ta çosh për punë hashashi. Këmbëngul se këto hetime me Sky janë historike. Po të shikosh është kombinim i madh. Ndokët, Martinaj, Shullazi. Ai ka bashkëpunuar njëherë me drejtësinë, për çështjen Meta-Doshi, por është njeri që di shumë gjëra. Jeta e ka rrahur me vaj e uthull. Bami është një minierë për ngjarjet që kanë ndodhur. Ai mendoj unë, do të jetë në rrathana të forta dhe shtrënguese të bën një njeri si ai të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai ka familjar jashtë.“, theksoi gazetari.
Ai theksoi se një nga arsyet pse ka kërkuar që të largohet nga paraburgimi i 313-ës, është Emiljano Shullazi.
“Në çdo burg ta çosh do të dalë një njeri që ka probleme me të. Në momentin që është sjellë dhe është çuar në bllokun e sigurisë dhe më pas tek 313, që njihet si më i sigurti, ku ndodhet dhe Meta, ndodhet Emiljano Shullazi.
Kujtoj që në atentatin ndaj Shullazit, Bami ka qenë i akuzuar. Bami ka kundërshtar në çdo burg. Ai ka kërkuar burgun e Fushë-Krujës sepse është një burg i vogël, ka personazhe të tjerë nga zona e vet dhe ndjehet më i mbrojtur. Duke pasur parasysh se çfarë ndodhi në burgun e Peqinit, tregon që nëse dikush nisen për të vrarë të vret, kanë fuqi logjistike dhe financiare.
Ai ka zgjedhur Fushë Krujën gjithashtu sepse aty e ka më afër familjen, sepse familja e tij mund të goditet dhe sulmohet ndërsa ikin për ta takuar në një burg tjetër”, tha ai.

Comments are closed.