TIRANË- Në mbledhjen e kësaj të premteje, Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh. Këto vendime prekin sistemin arsimor parauniversitar, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, si dhe rregullimin e lojërave të fatit në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimet parashikojnë:
-Ndryshime në strukturën dhe nivelet e pagave për mësuesit dhe stafin jomësimor në arsimin parauniversitar.
-Rishikim të trajtimit me pagë dhe shtesa për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura.
-Ndryshime në elementët e pagës dhe shpërblimet për punonjësit e Policia e Shtetit.
-Krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar.
-Miratimin e rregullave dhe shpërblimeve për Programin e Talenteve Rinore.
-Krijimin e një regjistri elektronik për personat që ndalohen ose vetëpërjashtohen nga lojërat e fatit.
Njoftimi:
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet dhe projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë, datë 27.02.2026:
Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime për disa ndryshime:
– Në vendimin nr.425, datë 26.6.2024, të “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në Institucionet Arsimore dhe në Institucionet Plotësuese të Sistemit Arsimor Parauniversitar”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
– Në vendimin nr.420, datë 26.6.2024, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
– Në vendimin nr.4, datë 9.1.2025 “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore dhe përcaktimin e kritereve e të procedurave për dhënien e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit”.
-Vendim për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar.
-Vendim për miratimin e rregullave për organizimin, të kritereve, të mënyrës së mbështetjes dhe të masës së shpërblimit financiar për të rinjtë në Programin e Talenteve Rinore.
-Vendim për krijimin, mbajtjen dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik të personave, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit, në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojërat e fatit, sipas kategorisë së licencuar, si dhe rregullat për paraqitjen, shqyrtimin, miratimin, anulimin apo refuzimin e kërkesës për moslejimin e personave për të hyrë në ambientet e lojërave të fatit.

Comments are closed.